![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/Francis-Walsingham-1130x635-1.jpg)
Anglezi që ndryshoi botën e spiunazhit
Nga: Charles Spencer / The Daily Telegraph
Francis Walsinghami e krijoi një rrjet sekret, si mjet për ta ndaluar vrasjen e monarkes së tij, Elizabeth I. Vendosi deri në 53 spiunë në Angli dhe 18 agjentë jashtë shtetit, metodat e të cilëve – nga fundi i shekullit XVI – vazhdojnë të mbeten në përdorim, në mbarë botën sot: bartja e mesazheve pa takime, kodet dhe agjentët e dyfishtë dhe të trefishtë, shantazhi, falsifikimi dhe tortura. Walsinghami i përdori gjithashtu ekspertët të cilët mund t’i hapnin dhe rivulosnin letrat, pa u vënë re kjo, si dhe dekoduesit.
Walsinghami ishte i pamëshirshëm. Me zbulimin e Komplotit të Babingtonit më 1586 – i cili tregoi se Mary, Mbretëresha e Skocisë e miratoi vrasjen e Mbretëreshës Elizabeth, në mënyrë që ajo të mund ta zëvendësonte atë në fron – Walsinghami u zhgënjye nga refuzimi i monarkes së tij për ta ekzekutuar kushërirën e saj Mary. Pra, shpiku histori të frikshme të cilat përfundimisht e bindin mbretëreshën Elizabeth I t’ia priste kokën kushërirës.
Walsinghami është hero i pakënduar i humbjes së Armadës spanjolle. E kishte një spiun në Romë i cili, më 1587, konfirmoi se Filipi II i Spanjës e planifikoi pushtimin e Anglisë nga deti. Inteligjenca e Walsinghamit bëri që Francis Drake ta sulmonte Kadizin, duke fundosur 37 anije, gjë që e vonoi Armadën për një vit vendimtar. Kjo i dha kohë Walsinghamit për ta vendosur një spiun në shtëpinë e Dukës së Santa Cruzit, admiralit spanjoll, dhe për të ndihmuar në rritjen e milicisë së Anglisë. Ndërkohë, i ushqeu spanjollët me informacione të rreme për portet dhe baticat e Anglisë. Filipi II e përshëndeti vdekjen e Walsinghamit me fjalët: “Lajm i mirë për spanjollët” – një epitet i shkëlqyer nga armiku, më të mirin që mund ta shpresonte një spiun.