Anglia fiton vendin e tretë pas penalltive
Anglia e ka mundur Zvicrën dhe ka fituar finalen për vendin e tretë të Ligës së Kombeve.
Për të zbuluar fituesin e takimit të luajtur në Guimaraes ka qenë e nevojshme të priteshin penalltitë, duke parë se koha e rregullt dhe ajo shtesë janë mbyllur në barazim 0-0.
Anglezët kanë arritur të shënojnë në minutën e 84-t me Callum Wilson, por goli është anuluar pas ndërhyrjes së VAR për një faull të shkaktuar nga vetë sulmuesi i Bournemouth. Skuadra e Southgate ka shkuar afër golit edhe tri minuta para fundit të shtesës, por goditja e Sterling është ndalur nga shtylla dhe dy skuadrat janë drejtuar nga pika e bardhë.
Lotaria e penalltive është fituar 6-5 nga përfaqësuesja e “Tre Luanëve” falë pritjes së Pickford ndaj Drmiq. Përveç medaljes së bronzit, Anglia ka fituar edhe tetë milionë euro, shuma e përcaktuar nga UEFA për vendin e tretë të Ligës së Kombeve. Zvicra, nga ana tjetër, duhet të ngushëllohet me vendin e katërt dhe 7 milionë euro, raporton “Telesport”.
Ndërkohë, akti i fundit i Ligës së Kombeve do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, kur Portugalia dhe Holanda do të përballen në finalen e madhe, që do të zhvillohet në “Estadio do Dragao” të Portos.