Anglia nis fuqishëm eliminatoret e “Euro 2020”
Anglia e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin e saj në eliminatoret e “Euro 2020”.
Anglia bëri detyrën në shtëpi, teksa triumfoi me shifrat 5-0 ndaj Republikës Çeke. Ndeshja nisi mjaft mirë për “3 luanët”, të cilët ushtruan presion që në fillim të sfidës. Në minutën e 24-të një aksion perfekt i anglezëve, u finalizua nga Sterling, i cili me portën e boshatisur shtyu topin drejt rrjetës për të çuar në avantazh të tijtë.
Në fundin e pjesës së parë, përsëri protagonist ishte Sterling, i cili fitoi një 11-metërsh pasi u ndal në mënyrë të parregullt në zonë. Harry Kane u afrua te pika e bardhë dhe u tregua i saktë, duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 2-0.
Fraksioni i dytë nisi njësoj për të besuarit e Sauthgejt, të cilët gjetën edhe golin e tretë në minutën e 62-të. Ishte dhe një herë tjetër Sterling, i cili konfirmon momentin e shkëlqyer që po kalon, duke shënuar golin e dytë personal. Gjashtë minuta më vonë, Sterling plotësoi tripletën, duke shënuar edhe golin e katërt për ekipin e tij, pas një goditje nga jashtë zone, e cila u devijua nga një mbrojtës i kombëtares mike.
Në minutën e 84-të, pati vend edhe për golin e pestë, teksa Kalas në mënyrë të pafat dërgoi topin në rrjetën e tij, duke mbyllur gjithçka në 5-0.