Anija e sanksionuar ruse mbytet në brigjet e Spanjës, dyshohet se po transportonte pajisje ushtarake nga Siria
Një anije mallrash ruse e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes të vendit u mbyt në Detin Mesdhe pas një shpërthimi në dhomën e motorit, duke lënë dy anëtarë të ekuipazhit të zhdukur.
Sipas ekuipazhit, anija, e quajtur Ursa Major, ishte rrugës për në Vladivostok, duke mbajtur dy vinça të mëdhenj porti dhe kontejnerë bosh. Incidenti ndodhi rreth 57 milje larg brigjeve të Spanjës.
Ekuipazhet spanjolle të shpëtimit fillimisht iu përgjigjën sinjalit të fatkeqësisë, duke shpëtuar 14 anëtarë të ekuipazhit dhe duke i dërguar në Kartagjenë.
Megjithatë, një luftanije ruse më vonë mbërriti në vendngjarje për të marrë përsipër operacionet. Pamjet video të publikuara në mediat sociale tregojnë anijen e batuar përpara se të mbytej.
Ursa Major operohet nga një kompani nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e saj me ushtrinë ruse. Inteligjenca ukrainase ka ngritur dyshime për aktivitetet e anijes, duke pretenduar se ajo mund të ketë transportuar pajisje ushtarake nga bazat ruse në Siri pas rënies së regjimit të Bashar Asadit.
Këto pretendime, nëse janë të vërteta, mund të tregojnë për përpjekjet e Rusisë për të tërhequr asetet ushtarake nga rajoni. Moska ende nuk ka komentuar nëse do të tërhiqet nga Siria.
Por sipas mediave shtetërore kineze brenda anijes ruse kishte “komponentë kritikë të reaktorit të destinuar për akullthyesin Leader, i planifikuar të ishte akullthyesi më i fuqishëm me energji bërthamore në botë”.
Në një zhvillim të ngjashëm, një tjetër anije ruse, Sparta, thuhet se u prish pranë Portugalisë. Zyrtarët ukrainas thonë se ishte rrugës për në Siri për të mbledhur pajisje shtesë ushtarake. Ekuipazhi e riparoi problemin dhe që atëherë anija ka rifilluar udhëtimin e saj.
Incidentet vijnë pas një humbjeje tjetër detare për Rusinë, cisterna e tretë e saj e naftës u mbyt në Detin e Zi më pak se një javë më parë. Së bashku, këto ngjarje po tërheqin vëmendjen ndaj aktiviteteve detare të Rusisë dhe po ngrenë pyetje në lidhje me aftësinë e saj për të mbajtur një prani ushtarake përtej kufijve të saj.