Anijes me emigrantë i ndalohet hyrja në Maltë
Një anije gjermane e shpëtimit është ndaluar që të hyjë në ujërat territoriale të Maltës, kanë bërë me dije autoritetet.
Kësaj anije me emigrantë, fillimisht i ishte ndaluar hyrja në ujërat italiane. Politikat e emigrimit të Italisë, së fundmi ka çuar në përplasje ndërmjet organizatave joqeveritare dhe autoriteteve italiane, mbi rregullat për mbylljen e porteve për anijet me emigrantë.
Anija “Alan Kurdi” është e fundit në listën e anijeve, që bartin emigrantë, e që kanë hasur probleme të ankorojnë në portet e Italisë në javët e fundit.
Anija gjermane, e emëruar për nderë të refugjatit trevjeçar sirian, Alan Kurdi, i cili është mbytur në Detin Mesdhe më 2015, pasi i është ndaluar hyrja në Itali ka vendosur të lundronte drejt Maltës.
Ajo pritet të arrijë në Maltë në orët e vona të së dielës.
Në bordin e kësaj anije gjenden 65 emigrantë.
Forcat e armatosura malteze dhe Qeveria kanë thënë se do të ndërmarrin veprimet e duhura nëse kjo anije shkel ujërat e Maltës. /Rel/