Ankesa e Gani Dreshajt dorëzohet në Kushtetuese
Pas refuzimit të ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si dhe Gjykata Supreme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të mërkurën është ankuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale për kryetar të Istogut.
Avokati Arianit Koci ka thënë për “Indeksonline” se ka dorëzuar në Kushtetuese ankesën në emër të kandidatit të AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj. “
Sot, në emër të Gani Dreshajt, kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e ligjshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të dt. 26 dhjetor 2017, me të cilin refuzohet e pabazuar ankesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e paraqitur kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të dt. 23 dhjetor 2017.
Gani Dreshaj parashtron se atij i është shkelur e drejta për t’u zgjedhur, e garantuar me nenin 45, paragrafin 1 të Kushtetutës së Kosovës, për shkak të shkeljeve gjatë procesit të votimit dhe shkeljeve gjatë administrimit të numërimit të votave”, ka thënë Koci.