Anketa: Gjykatat po shënojnë një trend pozitiv në përmirësimin e punës së tyre
Demokraci Plus (D+) dhe Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC), me mbështetjen e Programit të USAID për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë (USAID/JSSP), kanë mbajtur tryezë në të cilën janë paraqitur rezultatet e anketës me përdoruesit e shërbimeve të gjykatave themelore.
Kjo anketë ka mbledhur të dhëna mbi përvojat e qytetarëve dhe avokatëve me shërbimet që kanë të bëjnë me qasjen në informata, efikasitetin, gjuhën e përdorur dhe shkallën e korrupsionit.
Christina Davis, drejtoreshë e DGO, USAID Kosovë, ka pohuar se rezultatet e këtyre anketave për shërbimet e gjykatave tregojnë se gjykatat janë vazhdimisht duke bërë përpjekje për t’i përmirësuar shërbimet e tyre për t’u ofruar qytetarëve drejtësi me kohë. Sipas saj, problem i dukshëm mbetet dallimi në mes të perceptimit të përgjithshëm të qytetarëve dhe përvojës së shfrytëzueseve të gjykatave.
“Siç e dimë, gurthemel i sundimit të ligjit është besimi i publikut në gjykata, por ky besim duhet të fitohet dhe të kultivohet. Gjykatat jo vetëm se duhet të jenë të drejta dhe të hapura, por duhet të perceptohen se janë të drejta. Shumë nga lajmet që dëgjojmë qoftë në lajme, qoftë nëpër kafene, nuk janë gjithmonë pozitive dhe njerëzit flasin për vendime të padrejta, sepse si njerëz jemi të prirë t’u kushtojmë vëmendje lajmeve negative. Madje kjo shpjegohet edhe nga studimet psikologjike. Megjithatë, rezultatet e anketës për shërbimet e gjykatave do të hedhin dritë mbi hendekun e madh mbi perceptimin e publikut mbi gjykatat në Kosovë. Pra, rezultatet tregojnë se gjykatat po përmirësohen, po bëjnë hapa për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve”, ka thënë Davis.
Skender Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka theksuar se raportet e shoqërisë civile janë të dobishme dhe e ndihmojnë këtë institucion për të ndërmarrë veprime në përmirësim të gjyqësorit. “KGjK-ja mirëpret rekomandimet që vijnë nga shoqëria civile dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku me qëllim që ta rrisim transparencën në gjykata. KGjK do të angazhohet vazhdimisht për përmirësim të shërbimeve të gjykatave, transparencës dhe llogaridhënies”, ka deklaruar ai.
Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore të Ferizajt, u shpreh se kjo anketë tregon se gjykata që udhëheqë ai është lidere për efikasitet dhe se do të vazhdojnë të jenë dinamikë në zgjidhje të çështjeve gjyqësore dhe që të gjitha informacionet të jenë të qasshme.
Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka kërkuar që gjykatat të jenë më të hapura dhe transparente me avokatinë.
Besnik Prekazi nga D+ ka paraqitur të gjeturat dhe rekomandimet që dalin nga anketa e prezantuar në këtë tryezë: “Hulumtimi është bërë me 1 681 përdorues të gjykatave, përmes dy anketave të ndara: prej tyre, njëra me 1 307 qytetarë me raste të hapura dhe tjetra 374 avokatë”, ka thënë ai.
Prekazi ka thënë se në përgjithësi, sipas qytetarëve dhe avokatëve, gjykatat kanë një trend pozitiv në përmirësim të punës së tyre. “Për këtë D+ do të vazhdojë ta monitorojë përparimin e Gjykatave Themelore në zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga ky hulumtim dhe të gjeturat do të publikohen në platformën online që D+ ka krijuar enkas për këtë çështje”, ka thënë Prekazi.
(Qendresa RAMA / Epoka e re)