Ankohet Fatmir Sejdiu, thotë se Kryesia e vjetër e LDK-së po ndikon në zgjedhjen e kryetarit të ri
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pritet që në fund të kësaj jave ta mbajë Kuvendin e ri zgjedhorë, në të cilin pritet të zgjidhet kryetari e kryesia e re e kësaj partie.
Deri me tani, disa anëtarë të kësaj partie kanë shprehur publikisht dëshirën për të kandiduar për të parin e LDK-së, por janë shtuar zërat se në zgjedhjen e kryetari të ri do të ketë ndikim kryesia e vjetër, e cila ka dhënë dorëheqje pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, si shkak i rezultatit të dobët, shkruan Front Online.
E për këtë ndikim ka folur dhe ish-presidenti i Kosovës, ish-kryetari i LDK-së, dhe njëri ndër themeluesi e kësaj partie, Fatmir Sejdiu.
Ai tha se një rrugë e tillë është duke u aplikuar, por sipas tij, kjo është në kundërshtim me demokracinë.
“Nga ajo që është parë deri më tani dhe që ka shenja në këtë drejtim ajo po, është një rrugë e tillë duke u aplikuar pra një diçka që absolutisht që do të ishte në kundërshtim me demokracinë substanciale dhe mendoj se ajo nuk çon askund, nuk është zgjedhje”, tha ai.
Sejdiu tha se për Kuvendin zgjedhor të LDK-së nuk janë bërë përgatitje e duhura.
Sipas tij, struktura e vjetër e LDK-së e cila ka prodhuar efekte negative nuk do të duhet të ishte pjesë e proceseve nëpër të cilat po kalon kjo parti.
“Them se nuk ka filluar mbarë nga shkaku se nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme si duhet dhe se e dyta ajo strukturë e delegatëve e cila ka prodhuar efekte negative nuk do të duhej të ishte dhe në Këshillin e Përgjithshëm edhe në kryesinë si faktorë vendimmarrës për këtë proces të rëndësishëm që e ka LDK para vetës. Sipas meje duhet të ishte një ekip i ri i cili do të mandatohet me një mandat të parakohshëm nga ana e Kuvendit të tillë dhe të shpallen zgjedhjet e
përgjithshme në LDK që nënkupton ndërtimin e një strukture të re në bazë të vullneti të elektoratit të saj”, ka thënë Sejdiu.
Ai foli edhe për rezultatin që kjo parti ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sejdiu tha se veprime e brendshme me anëtarësinë e LDK-së, shkëputjen nga elektorati, vizita e elektoratit vetëm për vota, kanë bërë që LDK-ja të marrë vetëm 13 % të votave në nivel vendi.
“Këtë mënyrë se si ka vepruar LDK, po ka qenë i pritshëm unë e kam paralajmëruar, e kam paralajmëruar mënyrën se si LDK është sjellë në proceset e punës së saj sidomos nga 2010 e këndej, e kam paralajmëtar mungesën e saj si akterët serioz që do të duhet të ishin në këto proces, e kam paralajmëruar me mënyrën e veprimeve të brendshme me anëtarësinë, shkëputjen nga elektorati, vizita e elektoratit vetëm për vota dhe e kam paralajmëruar edhe me qasjen për temat substanciale që kanë të bëjnë për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Sejdiu për Front Online.
Ai tha se në të gjitha këto procese që nga viti 2010 e këndej, LDK-ja ka abstenuar dhe nuk ka qenë faktorë për të dhënë vizionin e vetë.
Sejdiu nuk ka dhënë përgjigje nëse do t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së.
Kuvendi zgjedhor i kësaj partie pritet të mbahet me 14 mars.