Ankohet kryetari i Hanit të Elezit, thotë se i është komplikuar një projekt për shkak të masave të BE-së
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se për shkak të masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës është komplikuar një projekt që financohet nga BE-ja dhe Banka Botërore.
Sipas Ballazhit, ky projekt është jetik për Hanin e Elezit.
“Para një jave kemi pasur një takim me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian dhe janë diskutuar edhe këto çështje. Është në një projekt i Bankës Botërore me një shumë, ne dhe Artana i kemi 15 milionë euro. Është trajtimi i mbetjeve të rrezikshme në lumin Lepenc e që këtu ne kemi mbetje nga azbesti. Në atë projekt jemi ne dhe Artana me 15 milionë dhe 5 milionë të tjera janë për Obiliqin. Tani Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian për shkak të masave që është dashur edhe 24 milionë t’i bashkëngjiten këtij fondi, do të thotë 45 milionë, për shkak të këtyre masave jemi të hendikepuar për të filluar me këtë projekt. Edhe pse jemi në fazën e parë kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të kalojë përmes Qeverisë në Kuvend dhe pastaj të fillojë me implementimin e projektit. Ky projekt do të jetë jetik për Hanin e Elezit sepse trajtimi i lumit Lepenc është shumë me rëndësi për ne për shkak të mbetjeve të azbestit si mbetje të rrezikshme dhe besoj do të pastrohet dhe krijohet vend rekreativ për qytetarët”, ka thënë Ballazhi për “Kosovapress”.