Ankohet Molliqaj: Katër aktivistë të PSD-së janë dënuar me nga 200 euro gjobë

18 nëntor 2020 | 13:46

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë me dije se katër aktivistë të partisë që ai udhëheq janë dënuar me nga 200 euro gjobë.

Molliqaj këtë e ka quajtur ndëshkim politik në emër të ligjit mbi pandeminë.

“Sot, rastësisht morëm vesh se 4 aktivistë të PSD-së jemi dënuar me nga 200 euro gjobë për aktivitetin protestues që e kemi mbajtur në ndërtesën e kryeministrisë ku tregonim pabarazitë e pakos ekonomike të qeverisë. Asnjë njoftim zyrtar nuk e kemi marrë për këtë dënim dhe arsyet e tij”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se për më pak se 1 muaj, u janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1 600 eurove për shkak të aksioneve politike publike të cilat i kanë organizuar si parti politike.

“Në të gjitha rastet është respektuar distanca dhe mbajtja e maskave. Nuk kemi shkaktuar asnjë rrezik lidhur me përhapjen e pandemisë. Ndërkohë, jemi dëshmitarë të një qasje diskriminuese dhe krejtësisht të pabarabartë të institucioneve. LDK-ja dhe LV-ja, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë, dhe nuk po dënohen”.

“Dënimet që na janë shqiptuar neve janë tërësisht të padrejta dhe si të tilla unë nuk do t’i paguaj. Në mungesë të masave të duhura, qeveria ka zgjedhur përndjekjen dhe policimin e qytetarëve. Kjo është e papranueshme. E drejta e protestës nuk guxon të cenohet në asnjë mënyrë. Çdo tentativë për të mbytur kundërshtimet përmes gjobave do të jetë e paefektshme”, ka shkruar Molliqaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka njoftuar se duke filluar nga dita e premte…