Anomalitë me tatimin në pronë të qeverisë Kurti
Shkruan: Avdullah Hoti
1. NË KULMIN E INFLACIONIT, QEVERIA I RRIT NGARKESAT TATIMORE NË PRONË DHE NË 2023 MBLEDH 33% MË SHUMË TË HYRA NGA TATIMI NË PRONË
Në fillim të vitit 2023, kur të ardhurat reale ishin ulur dukshëm nga inflacioni i vitit 2022, Qeveria Kurti e rriti ngarkesën e tatimit në pronë. Si rezultat, në 2023 Qeveria ka mbledhur 33% më shumë të hyra nga tatimi në pronë nga qytetarët dhe bizneset krahasuar me 2022. Ky ishte një veprim i paprecedent. Për tu përballur me inflacionin, të gjitha qeveritë normale përgjithësisht i ulën ngarkesat tatimore për qytetarë.
2. TATIMIMI EDHE I TOKAVE BUJQËSORE TË KULTIVUARA
Sivjet, Qeveria nis mbledhjen e tatimit në pronë edhe në tokat bujqësore të kultivuara. Kjo vjen si rezultat i ndryshimit të ligjit të tatimit në pronë që ndodhi vitin e kaluar.
Në ligjin paraprak, neni 10, pika 4, specifikohej se “tatimi në pronë nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave”. Qëllimi i këtij neni ishte që të nxiteshin pronarët e tokave bujqësore të kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.
Me ligjin e ri, neni 3, pika 2, fshihet pika 4 e nenit 10 të ligjit të vjetër. Tani, pronarët e tokave bujqësore obligohen të paguajnë tatimin pavarësisht a e punojnë tokën apo jo.
3. ZBATIMI I NORMËS PROGRESIVE TË TATIMIT NË PRONË
Me nenin 6 të ligjit të ri, Qeveria vendosi shkallë progresive të tatimit në pronë varësisht nga vlera e pronës. Ky veprim tregon mungesën e përvojës institucionale dhe të njohurive ekonomike e fiskale lidhur me politikat tatimore. Fakti që norma e tatimit në pronë vendoset mbi vlerën pronës, e cila vlerë përcaktohet nga tregu i hapur, atëherë vetë ngarkesa e tatimit në pronë është progresive për nga natyra e llogaritjes së saj – sa më e lartë vlera e tregut të pronës, aq më e lartë është ngarkesa e tatimit në pronë.
Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë normat progresive të tatimit në pronë. Organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë kanë vlerësuar se ky ndryshim në tatimin në pronë në Kosovë është bërë pa asnjë analizë paraprake dhe konsultim me akterët relevantë, siç janë komunat, bizneset, OJQ-të dhe grupet e qytetarëve në përgjithësi.
Për më tepër, ndryshimet e bëra me ligjin e ri i kanë reduktuar instrumentet ligjore për mbledhjet e borxheve të tatimit në pronë, të cilat borxhe për periudhën 2018-2022 janë vlerësuar në nivel prej 56% të ngarkesës totale tatimore.
Problem tjetër që vështirëson menaxhimin e tatimit në pronë është mungesa e përgatitjeve për zbatimin e normës progresive të tatimit në pronë. Projekti PROTAX2, që e mbështet Qeverinë në çështjet e tatimit në pronë, nuk është përshtatur me ligjin e ri. Kjo pasi fondet e këtij projekti janë të bllokuara nga masat e BE-së nga data 1 korrik 2023.
Norma progresive e tatimit në pronë do të jetë ngarkesë shumë e madhe veçanërisht për biznese që kanë prona të vlefshme.