ANP “Adem Jashari” përmbyll suksesshëm vitin 2017
Një sërë zhvillimesh të reja e kanë shoqëruar gjatë vitit 2017 Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”, i cili ka thyer rekord sa i përket numrit të udhëtarëve.
Nga 35 kompani ajrore që kanë operuar përgjatë vitit 2017 në ANP “Adem Jashari”, janë shërbyer mbi 30 destinacione të ndryshme anekënd botës.
“Për herë të parë në historinë e aeroportit pritet të arrihet shifra prej afro 1.9 milion e udhëtarëve duke thyer kështu rekordin e vitit të kaluar. Në krahasim me vitin 2016, ky numër është rritur rreth 9 për qind, përderisa numri i fluturimeve ka arritur në rreth 15. 000, apo 5 për qind më shumë nga viti paraprak”, është thënë në njoftimin e ANP “Adem Jashari”.
Duke qenë i fokusuar veçanërisht në nxitjen e kompanive ajrore që operojnë me kosto të ulët, ANP “Adem Jashari” që nga prilli i këtij viti ka ofruar fluturime për në Budapest me dy frekuenca në javë të shërbyera nga kompania ajrore “Wizzair”, për të vazhduar me fluturime të reja direkte për në Londër me fillim të sezonit veror.
“Fluturime të reja gjatë sezonit veror ka shërbyer edhe ‘Norwegian Air’ e cila ka operuar linjën direkte Helsinki-Prishtinë-Helsinki dhe po ashtu linjën Goteburg-Prishtinë-Goteburg. Në anën tjetër viti 2017 është karakterizuar edhe me pranimin e tetë çmimeve ndërkombëtare. Përveç rritjes së numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve gjatë vitit që po lëmë pas, ‘Limak’ ka vazhduar me projektet e shumta të përgjegjësisë korporative ndaj shoqërisë. Pas certifikimit në nivelin e parë të programit për Akreditimin e Karbonit në Aeroporte gjatë vitit të kaluar, ANP “Adem Jashari” ka implementuar programe menaxhuese që kanë ndikuar në uljen e nivelit të karbonit për 12 për qind dhe në këtë mënyrë është certifikuar në nivelin e dytë të këtij programi, +2 Reduktimi”, është thënë në njoftimin e kësaj kompanie.
Sipas këtij njoftimi, njëra ndër prioritet e ANP “Adem Jashari” mbetet avancimi në nivelet më të larta të programit +Reduktimi për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e ambientit.
“Risi tjetër në rritjen e kualitetit të shërbimeve ka pasur edhe me rastin e lansimit të konceptit të ri ‘Airport Helper’ i cili nënkupton gatishmërinë e stafit të aeroportit që t’u ofroj ndihmë udhëtarëve jashtë detyrave primare të tyre. Falënderojmë të gjithë udhëtarët që kanë zgjedhur shërbimet tona dhe vazhdojmë të punojmë në ofrimin e kushteve sa më të favorshme ndaj kompanive ajrore për të operuar në ANP ‘Adem Jashari’”, është thënë në njoftimin e ANP “Adem Jashari”.