Ansambli ‘Dëshmorët e kombit’ nga Obiliqi, fitues i festivalit ‘I këndojmë lirisë’
Në Klinë ka përfunduar festivali folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, i cili është mbajtur më 6, 7 dhe 8 qershor.
Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 19 të këtij festivali, e ka fituar ansambli i këngëve dhe i valleve “Dëshmorët e Kombit” nga Obiliqi.
Këtij ansambli, çmimin ua ka dorëzuar kryetari Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe Halil Krasniqi, babai i komandant Mujë Krasniqit.
Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë ansambli “Drenica” nga Skenderaj, vendin e tretë “Shotë Galica” nga Drenasi, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve të Lushnjës.
Udhëheqësi artistik këtij ansambli, Sadat Kelmendi, ka thënë se janë të nderuar që janë fitues të çmimit të publikut. “Në këtë manifestim folklorik mbarëkombëtar ne marrim pjesë që disa vite. Sivjet jemi përgatitur si kurdoherë më parë. Ky shpërblim na obligon që të punojmë edhe më shumë ngase jemi vlerësuar nga një juri profesionale”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në festival duke u dëshiruar pjesëmarrje të sërishme edhe në festivalet e ardhshme.
“Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë Lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues”, është shprehur kryetari Elezaj. Edhe drejtuesit e tjerë të festivalit janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e festivalit, pjesëmarrjen, mbarëvajtjen dhe pjesëmarrjen e grupeve dhe rapsodëve.
Drejtori i festivalit “I këndojmë lirisë”, Alban Gashi, ka theksuar se janë të impresionuar me pjesëmarrjen në këtë festival.
Sivjet festivali është mbajtur në një ambient të përshtatshëm në sheshin “Mujë Krasniqi”, përkrah shtatores së komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqit-Kapuçit. (Enver Maloku, zëdhënës i festivalit “I këndojmë lirisë”)