Ansambli “Shota” me koncert humanitar për familjen Abazi
Ansambli “Shota” të shtunën do të mbajë një koncert humanitar në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe të ardhurat nga kjo ngjarje do të dedikohen për familjen Abazi.
Vëllezërit Shemsedin e Isa Abazi kanë vdekur ditë më parë në tërmetin që goditi Shqipërinë, transmeton Koha.net.
Përmes një postimi në Facebook Shefqet Gjocaj nga ky ansambël ka bërë të ditur se çmimi i biletës për këtë koncert është 5 euro.
“Meqenëse për shkak të pasojave tragjike të tërmetit të 26 nëntorit, në Shqipëri, kishim anuluar Koncertin Premierë të Ansamblit, i planifikuar të mbahej me datë 27 nëntor, kemi vendosur që të njëjtin ta mbajmë me datë 7 dhjetor (ditë e shtunë) dhe do të ketë karakter humanitar. Respektivisht, të gjitha mjetet që do të grumbullohen nga shitja e biletave, do t’i dedikohen familjes Abazi nga Livoçi i Ulët i Gjilanit, e cila humbi dy anëtarë të familjes në këtë fatkeqësi. Ftojmë të gjithë dashamirët e Ansamblit dhe njerëzit e vullnetit të mirë që të vijnë në koncert dhe të japin kontributin e tyre në këtë akt humanitar”, ka shkruar Gjocaj në Facebook.
Ai ka shtuar se, “biletat shiten në sportelin e TKK, nga dita e premte (06.12.2019). Çmimi i biletës është 5 euro”.