Anshmëria e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale?
Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ende nuk ka komentuar letrën e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në të cilën kërkohet nga gjyqtarët që mos t’ia mbajnë anën Prokurorisë Speciale por të jenë të paanshëm në zbardhjen e së vërtetës.
Në letër thuhet se pyetjet e gjyqtarëve po e shtyjnë përpara rastin e Prokurorisë, dhe nuk po e sfidojnë të vërtetën.
“Marrja gjyqësore e pakufizuar në pyetje e dëshmitarëve, gjatë gjithë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut të provave 21 tetor-7 nëntor 2024, është duke rrezikuar shfaqjen e paanshmërisë në këto procedura dhe duke shkaktuar paragjykim të identifikueshëm për Mbrojtjen”.
Duke komentuar letrën e mbrojtjes së ish krerëve të UCK-së, avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Taulant Hodaj për RTV21 thotë se ai nuk ka vërejtur ndonjë anim të trupit Gjykues por nuk mohon që një gjë e tillë tek ndodhur në seancat e mbyllura gjyqësore. Sipas tij, trupi gjykues është në të drejtën e tij për parashtrim të pyetjeve ndaj dëshmitarëve.
“Nga përvoja ime disa javore…unë personalisht s’kam vërejte një anësi të trupit gjykues. Kryetari trupit mundohet të bëj menaxhimin e seancave, s’lejon parashtrimin e pyetjeve. Ata bëjnë pyetje dëshmitarëve dhe kjo lejohet sipas rregullave të procedurës së provave…. Siç e dini deri tani vonë më shumë ka pasur senaca të mbyllura sesa publike…dhe mund të jetë që problemi ka qenë në seanca të mbyllura….”, tha Hodaj.
Njëjtë vlerësojnë edhe monitorues të procesit gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, thotë nuk ka vërejtur se trupi gjykues ka tejkaluar kompetencat dhe ka anuar në këtë rast.
“Kur bëhet fjalë për seanca të hapura ne s’kemi vërejtur që paneli gjyqësor ka tejkaluara kompetencat e veta…Roli i panelit gjyqësor është te nxjerr te vërteten kane të drejtë te bëjnë pyetje shtese.. Nuk besoj se një panel i gjyqtarëve mund t’i tejkalojë kompetencat apo mund të vihet Në anën e njërës palës po tjetrës’, tha Balakaj
Edhe në Institutin e Kosovës për drejtësi thonë se gjatë monitorimit të tyre nuk kanë parë anim të trupit Gjykues nga ana e Prokurorisë.
“Në nuk mund të themi që kemi vërejtur një gjë të tillë….trupi Gjykues në shumicën e rasteve ka bërë pyetje për dëshmitarët që është e drejtë e tyre ndërsa në shumicën e rasteve kur trupi ka përfunduar pyetjet, avokatët kanë ndërhyrë dhe kanë kërkuar në pyetje shtese derisa jo edhe prokurori”.
Sipas letrës së mbrojtjes, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi pohojnë se janë shkelur të drejtat e tyre për gjykim të drejtë si dhe e drejta për një gjykatë të pavarur dhe të paanshme.
Një gjë e tillë është vënë re edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
“Gjykatësit po dalin të jenë më prokurorë se prokuroria. Ka shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”, tha Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi më 3 prill të vitit të kaluar.