Antigona Behrami mban seminar në Gjermani, salla s’i zë njerëzit
Autorja e disa librave best seller, Antigona Behrami, njëherësh trajnuese e certifikuar e motivacionit, ka mbajtur seminar në Gjermani. Ajo për gazetën “Epoka e re” ka thënë se ndihet e lumtur që njerëz nga anë të ndryshme të botës erdhën ta ndjekin seminarin e saj në Gjermani, të takohen me të dhe të flasin për përvojat pas përcjelljes së ligjëratave të saj, leximit të librave të saj dhe seancave.
“Zemra m’u bë mal kur i pashë të gjithë ata njerëz në sallë. Energjia e tyre fliste shumë për mua dhe për cilindo. Më gëzoi pa masë ndryshimi i tyre. Më gëzuan shumë prej tyre që kishin përparuar në aspektin intelektual dhe afarist”, ka thënë Behrami, e cila në rrjete sociale, pas përfundimit të seminarit, ka shkruar: “Në rrugët e jetës takojmë njerëz që na mundësojnë ta ndjekim dritën. Pikërisht i tillë ishte takimi ynë në seminarin në Gjermani. Një seminar i mbushur plot njerëz të cilët kishin marrë rrugën nga mbarë bota për t’u bashkuar në rrugën e dritës dhe ndriçimit të shpirtit. Energjia që mbretëroi gjatë gjithë kohës në atë vend, na bëri të kuptojmë se jemi të lidhur e të gjithë kemi diçka për të liruar dhe pastruar. Njerëzit që ishin të pranishëm kaluan tetë orë seminar pa dal prej tij asnjë çast. Bashkërisht i shijuam mrekullitë. Ju falënderoj prej shpirti për të gjithë dashurinë dhe respektin që më shprehët. Meqë salla u stërmbush e nuk i zinte të gjithë njerëzit, disa prej të cilëve qëndruan në këmbë, ju premtoj se së shpejti do të takohemi në salla sportive/stadiume. Ju dua pafundësisht”.