ANTON ÇETTA: GJAQET PO I FALEN RINISË
-Në 100-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vdekjes së plakut të urtë
Anton Çetta lindi më 3 janar 1920 në Gjakovë. Shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës. Në vitin shkollor 1945-1946 punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës Frënge, në Universitetin e Beogradit. Studimet i kreu në vitin 1950, ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të këtij universiteti. Në vitin 1961, kur në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik, emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.
Nga viti 1968, ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe traditë gojore.
Në vitin 1990 profesor Anton Çetta i është bashkangjitur pajtimit të gjaqeve, të filluar nga të rinjtë studentë, ish të burgosur politikë, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj. Gjatë periudhës njëvjeçare të veprimtarisë së Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë 1990-1991 u falën 1 169 gjaqe, 477 plagë, 865 ngatërresa. Plaku i urtë Anton Çetta ishte një nga shtyllat kryesore të saj.
Në shenjë kujtimi ndaj tij, në 100-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vdekjes, për lexuesit e gazetës “Epoka e re” po e sjellim intervistën që profesor Anton Çetta i ka dhënë gazetës “Zëri i rinisë”, të datës 7 prill 1990, faqe 17-19.
Një grup të rinjsh me një profesor, me një burrë, me një pleqnar… pastaj erdhën profesorë e intelektualë të tjerë. Pastaj erdhën të gjithë. Kosova po i fal gjaqet, po shkundet nga një pjesë e zymtë e traditës një popull i vogël, por krenar. Në botën e qytetërimit nuk mund të hyhet me gjak. Duhet braktisur kjo paudhësi… Kështu nisi e mori udhë. Një dritë jete furishëm u hodh në ato udhë të verbra të dheut. Jeta po çel udhë… çelni udhë rinisë…, është kjo porosia e madhe e një njeriu të madh: porosia e Anton Çettës.
– Ju kthyet edhe një herë terrenit, përkatësisht udhëve të dheut, në një mision shumë human e qytetërues, për çrrënjosjen e gjakmarrjes në këto troje…?
Anton Çetta: Po, terreni më bëri që ta njoh më mirë popullin tim, t’i shoh kërkesat, aspiratat, përpjekjet, vuajtjet, mungesat dhe të gjitha ato që e bëjnë jetën e tij të përditshme. E kuptova shpejt se popull im ka kërkesa shumë modeste, e sidomos dëshiron të ndiejë fjalën e mirë, fjalën ngushëlluese e këshilluese, të ndiejë se ka kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e qytetit, që dikur i dukeshin si të largët, të ndiejë se ky njeri i qytetit intelektual i është afruar, është pranë tij dhe flet me të me zemër të hapur, tash si mik i vërtetë, e u mor vesh, nga këto njohuri të reja që i fitova e pashë se duhet punuar e përkushtuar, me dashuri dhe zell. Mu për këtë tashti u paraqit kërkesa e të rinjve, e studentëve që të pajtohen gjaqet ndër ne përgjithësisht. Rinia më ftoi e unë me gjithë zemër pranova që të nisem me ta, që nga fillimi i shkurtit të këtij viti.
– Si filloi, si erdhi deri te dukuria e gjakmarrjes ndër ne?
Anton Çetta: Një pjesë e gjakmarrjeve bëhet nga interesat pronësorë, pra së bashku me interesat pronësorë- ekonomikë, nisin edhe vrasjet e, me këtë, edhe gjakmarrja. Thelbi, si e kuptoj unë, apo arsyeja parësore e gjakmarrjes do të duhej të jetë: si t’i ndalet dora të fortit, i forti ka mundur të bëjë çdo gjë, i forti ka pasur njerëz në dispozicion, harambashë, argatë…, ka pasur mundësi të zgjerojë pronën, por me anë të gjakmarrjes njerëzit janë detyruar të ndalojnë zullumin, ngase dhe ai tjetri i cili bën dëm, do të mund të dëmtohej.
Kanuni i Lekë Dukagjinit e paraqet thelbin e gjakmarrjes midis të pafuqishmit dhe të fuqishmit “Gjaku për gjak”, “Nga i miri len i keqi, nga i keqi len i miri”. Kështu edhe i forti ka qenë i detyruar të mendojë mirë para se të vrasë, se edhe atë e ka pritur gjakmarrja. Kështu gjakmarrja e ka penguar keqpërdorimin e fuqisë.
– Gjakmarrja e kodifikuar në një praktikë kanunore ka vënë ligjësi edhe në këtë dukuri tragjike dhe absurde?
Anton Çetta: Ka qenë kjo një shoqëri pa ligje dhe pa shtet, familje patriarkale, kështu që në fillim gjakmarrja nuk ka qenë krejtësisht negative, në anën tjetër ai që ka humbur mashkullin e shtëpisë ka humbur edhe një fuqi punëtore. E varfëria ka qenë e madhe, kështu që gjaku ka mundur të falet për burrëri ose të merret, e në disa raste edhe të paguhet. Kjo në atë kohë mund të shpjegohej për arsye se i dëmtuari, meqë ka humbur një fuqi punëtore, ka marrë një kompensim sado të vogël. Ndërkaq, familjet fisnike e të pasura faljen e gjakut e kanë bërë për burrëri. Mirëpo, me zhvillimin e shoqërisë dhe vënien e themeleve të shtetit juridik, tashti i dëmtuari mbrohej me ligj, vrasja dënohej me ligj, por megjithatë tradita vazhdoi. Tashti ai që vriste, në një mënyrë kishte dy dënime: nga gjyqi dhe nga familja e të dëmtuarit. Ky dënim bëhej edhe më i madh me rastin e ngujimit, se gjaku nuk merrej aty për aty e familja e tërë duhej të ngujohej, kështu që familja e vrasësit ndiente pasoja shumë të mëdha. Toka mbetej e papunuar, familja varfërohej. Me këtë rast edhe arsimimi i fëmijëve, por edhe emancipimi i femrës ishte i pamundur.
– Cilat janë pasojat psikologjike të familjeve që janë në gjak?
Anton Çetta: I zoti i shtëpisë dhe meshkujt e shtëpisë duke qenë të ngujuar, kaploheshin nga kompleksi i frikës, i dyshimit, i ankthit. Ata nuk mund të komunikonin lirisht me njerëzit e tjerë. Kompleksi i ngujimit rritej, ndiheshin të kufizuar në ngritjen e tyre. Pësonin edhe fizikisht, nga pamundësia që të lëvizin lirisht. Edhe në jetën e përditshme në këtë familje, as festat, as dasmat e as tubimet gazmore nuk bëheshin, por këta as nuk shkonin te të tjerët. Edhe ato momente të pakta të gëzuara këto familje nuk mund t’i shijonin. Pastaj as mendimet nuk i kishin të kthjellëta, duke jetuar vazhdimisht nën presionin e frikës e të ngujimit. Në anën tjetër, familja që ishte e dëmtuar po ashtu nuk ishte e qetë, ngase, sipas traditës, duhej ta merrnin gjakun, duhej të vrisnin për ta nxjerrë gjakun. Por gjaku nuk mund të merrej menjëherë, ngase ai që kishte vrarë rrinte i mbyllur, kështu që marrja e gjakut shtyhej për një kohë të gjatë. Ai, i cili kishte për të marrë gjak ishte gjithmonë i shqetësuar, duke u përgatitur ta bënte këtë. Gjakmarrja u bë si kult, instinkt dhe domosdoshmëri. Në anën tjetër, edhe kur ishte në kontakt me njerëzit e tjerë, në ndeja nëpër oda, atë që s’e merrte gjakun e shikonin si njeri të kategorisë më të ulët, sepse s’e kishte marrë gjakun ende. Kështu që edhe vendi i caktohej diku në fund të odës! Me një fjalë, ai nënçmohej.
– Përpara kanë ekzistuar këshillat e pajtimit apo islihatet. Edhe tash po e quajmë Këshilli i Pajtimit, por cili është dallimi midis këtyre këshillave?
Anton Çetta: Islihatet kanë qenë misione nga grupe të ndryshme e të herëpashershme njerëzish, por që veprojnë me afate të gjata kohore, të formuara nga pleq me autoritet, që çmoheshin nga njerëzit dhe që gëzonin besimin e tyre, por ishin të rralla. Ato kishin fuqi ekzekutive, ato “prenin me shpatë”! Vendimi i tyre duhej të zbatohej. Islihate ka pasur gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, ngase Lidhja e Prizrenit i mori në besë të gjitha gjaqet. Me këtë besë nuk duhej të vriteshin njerëzit në konflikt gjatë Lidhjes së Prizrenit. E kush vriste e “prente” në besë Lidhjen e Prizrenit! Lidhja e Prizrenit e dënonte, ngase kishte autorizime, fuqi ekzekutive e, njëkohësisht, islihatet morën përsipër të pajtoheshin ato gjaqe. Edhe më vonë, gjatë Besëlidhjes së Pejës, më 1911, kemi pasur islihate, me në krye Haxhi Zekën. Pastaj një islihat i tillë ka vepruar në vitin 1923. Prijës i këtij islihati ishte Shaqë Avdia, i cili edhe vetë kishte falur gjakun e dy djemve të tij. Islihati i detyronte njerëzit të pajtoheshin.
Disa pleqëri, që nuk mund të zgjidheshin nga pleqtë apo mexhlisi i burrave, liheshin për më vonë, që të zgjidheshin në një formë më kategorike. Mirëpo kohët ndryshuan. Islihatet e dikurshme mund t’i krahasojmë deri diku me këto grupet e sotme, që quhen “këshilla pajtimi”, por unë do t’i quaja grupe të rinisë për pajtim. Por këto, megjithatë, kanë ndryshim të madh nga islihatet. Së pari, këto janë grupet e të rinjve. Rinia e ka marrë këtë iniciativë e më pas iu janë bashkuar disa pleq e intelektualë. Por barra i bie rinisë. Në anën tjetër, parimet që ndjekin të rinjtë për pajtimin e gjaqeve janë krejt të kundërta ose shumë të ndryshme. Gjaku duhet të falet për burrëri dhe nuk paguhet. Siç ka qenë në praktikën e mëhershme, sipas Kanunit të Lekës, gjaku edhe kur falej për burrëri, paguhej me ndonjë shumë simbolike, ndërkaq sot nuk paguhet asnjë metelik! Nuk ka kurrfarë shpërblimi për familjen e dëmtuar, ngase shpërblimi më i madh është vetë akti i faljes së gjakut. Shpërblimi i degradon të vdekurin dhe vetë familjen që e fal gjakun. Me shpërblim e komercializojmë gjakun. Gjaku shndërrohet në monedhë, por këtë nuk e lejon rinia, nuk e lejon tradita e shndritshme shqiptare. Shpërblimi ia zbeh fytyrën të vdekurit. Zbehet familja e atij që fal gjakun. Më ka rastisur para 15 vjetësh të ndodhem në një odë, ku u fol për faljen e një gjaku. Duke biseduar, një plak tha: “E kishte falur filani gjakun”. Tjetri ia priti: “Po more, e kishte falur me pare dhe kishte filluar të ndërtojë një shtëpi!”. Kështu, gjaku i paguar me para do të bënte shtëpi! Me këtë rast tashti së voni, Azem Shkreli na la një fjalë vërtet burrërore: “Për burrëri burrat falin burrërisht”. Kjo na mbeti si moto e këtij misioni. Një element tjetër që praktikohej përpara e që ne nuk e përdorim sot, ishte dorëzania: ata quheshin dorëzanët e gjakut. Ishin njerëz që dëshironin të bënin mirë, mirëpo dorëzanët (garantët) shpesh priteshin në besë! Kështu, ndonjë pjesëtar i familjes që falte gjakun, qëllonte ta merrte gjakun përsëri. Ç’ndodhte? Dorëzanët priteshin në besë. Ata atëherë kërkonin fytyrën, e për të nxjerrë fytyrën duhej të vritnin vetë. Ata e “nxirrnin” fytyrën, por binin në gjak. Kështu krijohej edhe një hallkë më tepër në zinxhirin e gjakmarrjes. Këtë metodë me dorëzani nuk e pranuam edhe për një arsye tjetër: sot i tërë populli është dorëzanë. Të rinjtë që marrin pjesë në pajtimin e gjaqeve janë dorëzanë. Nesër, kur t’i japim fund gjakmarrjes, ne do t’i botojmë të gjitha rastet e faljes së gjaqeve, kështu që do të mbetet edhe një dokument me shkrim, që do të jetë dorëzania më e madhe, që do të qëndrojë vite të tëra, ndoshta edhe me shekuj nëpër biblioteka.
– Profesor, sot ndodh që, në mungesë të meshkujve të shtëpisë, gjakun po e falin edhe femrat. Kjo do të thotë gruaja dhe nëna, motra apo mbesa…?
Anton Çetta: Gjakmarrja bëhet për shumë arsye, njëra ndër to është ajo e shtimit, sugjerimet e vazhdueshme, rikujtimet e në këto merr pjesë shumëkush, për ta bindur gjakmarrësin të qesë pushkë, duke ia përkujtuar vazhdimisht: ç’bëre, a e more atë gjak etj. Ka ndodhur që edhe gruaja ka luajtur një rol negativ, me pretekstin: nuk po më lënë rehat shoqet e mia, duke më thënë ç’bëri burri yt, a e mori gjakun? Pra, biseda të tilla e nxitin gjakmarrjen… Ndërkaq, në këto ditë roli i femrës është shumë pozitiv. Ne kemi pasur një rast, kur dy vëllezër kishin për të falur një gjak, por vëllai i vogël nuk donte ta falte. I thamë të shkonte të këshillohej me anëtarët e familjes. Rastisi që në atë familje të ndodhej tezja si mysafire; grua plakë, por burrneshë. Ajo e bindi vëllanë e vogël për dhjetë minuta dhe na e solli për krahu: “Nuk duhet të ndodhë kurrë gjakmarrja! – tha ajo. – Çohuni n’këmbë dhe merruni n’grykë!”
Ka ndodhur që familja ka mbetur pa mashkull, siç ishte rasti i Sankocit të Drenicës, ku ajo familje kishte mbetur me pesë motra, dy të vogla fare. Ndërkaq e madhja, Hyra, ishte zot shtëpie, madje i kishte kaluar edhe koha e martesës, nga dëshira për të marrë gjakun e babës! Ajo kishte sakrifikuar rininë, por fjala e mirë e rinisë, e studentëve, ia kishte zbutur zemrën dhe një ditë u ngrit midis burrash dhe e fali gjakun! Po kështu, të dielën e kaluar, një nënë fisnike në Prizren, që i thoshin nënë Zoja, fali gjakun e të birit…
Falja e gjakut është hap në demokraci!
– Është e qartë, çrrënjosja e gjakmarrjes është hap drejt proceseve demokratike, ngase, të shprehemi kështu, nuk bën që “në shtëpi të jesh i ngujuar apo në gjak e në çarshi të flasësh për demokracinë”. Ç’mendoni ju?
Anton Çetta: U mor vesh. Akti i faljes së gjakut është një akt tolerance, njëkohësisht akt human, që i ofron njerëzit dhe familjet e armiqësuara. Pra, me kohë, duke e respektuar familjen që fal gjak, vijmë tek ato marrëdhënie vërtet miqësore. Ja, toleranca është shprehje e demokracisë, kërkesë thelbësore e demokracisë. Pastaj akti i faljes së gjakut bëhet me bindje e jo si përpara, me para apo me ndërmjetësimin e pleqve që kanë pasur fuqi. Sot ata që falin gjakun binden për diçka që vërtet është humanizëm dhe qytetërim. Po ashtu, me këtë akt gjejmë edhe dialogun. Të rinjtë i bindin përmes dialogut, i cili sjell marrëveshjen. Duke qenë të lirë, familjet e ngujuara, sidomos meshkujt, bëhen fuqi prodhuese shumë aktive. Ja, pra, edhe në pikëpamje ekonomike është një hap në demokraci! Tashti, pasi u falet gjaku, jeta e familjeve të ngujuara nis të zhvillohet normalisht edhe në pikëpamje kulturore. Fëmijët e ngujuar, që nuk kishin mundësi të shkollohen, tashti dalin lirisht. Ky është dimensioni arsimues i faljes së gjakut.
Më kujtohet një rast i dhembshëm, kur në fakultet kishte një student shumë të mirë, andej nga katundet e Llapit. Vitin e parë të studimeve ai mori notë të shkëlqyeshme, me shkrim dhe me gojë. Ishte shumë simpatik, i zellshëm… Por, ai nuk erdhi të japë provimin e vitit të dytë, po ashtu as në vitin e tretë! Ç’ndodhi? Erdhi vitin e katërt, pas dy vjetësh “pushim”. Kur e pashë, i thashë: “Po pse s’erdhe në provim, more djalë?”. Profesor, – tha, – nuk kam mundur, se jemi në gjak! Jemi të ngujuar! Ata nuk na kanë dhënë besë, por sot kam ardhur tinëz!” Ky është një ndër kujtimet më të zymta në jetë dhe sot dhe sa herë që dalim në terren me të rinjtë për pajtim gjaqesh, më kujtohet ai djalë. Edhe ky rast më jep zemër për ta çuar deri në fund këtë mision.
– Cili ka qenë roli i besës në lehtësimin e gjakmarrjes?
Anton Çetta: Familjet burrërore kanë dhënë besë, herë pas here, sidomos gjatë kohës së punëve në fushë, për të mos mbetur arat djerrë krejtësisht, por ka pasur edhe raste kur nuk është dhënë besë. Atëherë meshkujt e shtëpisë kanë dalë të punojnë, por kanë qenë nën presion të vazhdueshëm të frikës. Besa në kompleksin e gjakmarrjes ka rolin e lehtësimit ndaj familjes së ngujuar, që të ketë liri për një kohë të caktuar.
Si shkelen të drejtat e njeriut?
-Ka raste që falja e gjakut shihet me sy tjetër, madje shihet edhe me „sytë“ e policisë. Ç’do të thotë kjo?
Anton Çetta: Ndodhi një rast, ku në Bellacërk të Rahovecit u falën shtatë gjaqe. Të nesërmen morëm vesh se në një familje të fshatit Gexhe kishin shkuar organet e sigurimit dhe i kishin rrahur tetë anëtarët e familjes, e disa prej tyre ishin dënuar me nga 30 ditë burgim. Po ashtu, në fshatin Dushanovë, njerëzit janë torturuar pas faljes së gjakut. Padyshim që këto janë sjellje arrogante dhe shkelje e të drejtave elementare njerëzore, kur dihet se falja e gjakut është gjest shumë human, një aksion fisnik për zhdukjen e një plage të zymtë në Kosovë, por edhe në Jugosllavi, prandaj konsiderojmë se falja e gjaqeve është hap qytetërues për shtetin tonë, e të pengohet ky aksion nga ndonjë element është anakronizëm. E dini: gjakmarrjen e dënon edhe ligji penal, madje rëndë, ngase bëhet me paramendim, kështu që të falësh gjakun, do të thotë t’i shërbesh shoqërisë, shtetit juridik po e po…
– Ndodh që pushteti në ndonjë periudhë të caktuar, në mënyrë indirekte, e ka nxitur procesin e gjakmarrjes, duke lënë të hapura shumë burime konfliktuese midis njerëzve?
Anton Çetta: Regjimeve jopopullore për të qeverisur më lehtë u ka leverdisur të ketë konflikte të vazhdueshme, kështu që kanë përdorur nxitjen apo përçarjen për të ndërhyrë me disa elemente të deformuara në vrasje. Pra, kanë ndodhur vrasje me motive politike, nga intrigat dhe cytjet e njerëzve të deformuar. Pikërisht në këto raste po hasim më shumë pengesa për t’i pajtuar, ngase i dëmtuari thotë nuk na ka vrarë hasmi, por tjetërkush dhe nuk di kujt duhet t’ia falë gjakun!
– Gjakmarrja ka ekzistuar edhe te popuj të tjerë, mirëpo është tejkaluar. Cilët janë faktorët që ndikojnë në zhdukjen e saj?
Anton Çetta: Gjakmarrjen e kanë pasur pjesë të traditës malazezët, korsikanët, por edhe francezët etj. Mirëpo me ngritjen ekonomike e kulturore, si dhe të vetëdijes kombëtare, kjo është tejkaluar. Të përmendim për ilustrim romanin „Kolomba“, që përfshin parimet kryesore: një motër ka vetëdije patriarkale, ndërkaq vëllai shkon në Paris, ku shkollohet. Më pas kthehet për pak në Korsikë, pa i shkuar mendja të marrë gjakun, ngase ai ishte i emancipuar, kishte bërë karrierë… Por e motra ngadalë-ngadalë nis t’ia shprushë kujtimet për babanë… E çon të vizitojë varrin e tij, pastaj e cyt vazhdimisht, saqë e bind edhe intelektualin që të marrë gjakun. Kjo tregon se sa i fuqishëm është presioni i aktit të gjakmarrjes.
– Mbase shpërblimi më i madh është vetë akti i faljes së gjakut. Si e ndieni veten kur shtrihet dora e pajtimit?
Anton Çetta: Shpërblimi më i lartë për mua dhe të gjithë të rinjtë dhe intelektualët e tjerë që marrin pjesë në pajtim është kënaqësia që ndiejmë kur e shohim se patëm sukses dhe kur i shohim duke u përqafuar ata që, vetëm disa çaste më parë, janë konsideruar hasëm midis tyre. A ka shpërblim më të madh sesa kur rrjedhin lotët e gëzimit! E çdo gjak i falur është një kontribut i madh për faljen e të gjitha gjaqeve. Kjo bën që të mos ndihet as lodhja, as pleqëria.
– Pastaj në Shtimje, më vonë edhe gjetkë, u propozua që në shenjë nderimi, Këshilli i Pajtimit dhe ky aksion të pagëzohet “Anton Çetta”. A s’është edhe ky një shpërblim?
Anton Çetta: Nuk jam pajtuar të quhet kështu ky aksion, ngaqë ai është një aksion i rinisë studentore, se ata e kanë filluar dhe ata do ta çojnë deri në fund. Unë do të gëzohesha, pra, sikur ky aksion të quhet Aksioni i Rinisë Studentore për Pajtimin e Gjaqeve. Të rinjtë na ftuan e ne shkuam pa u hamendur, sikur të shkonim në fejesën apo në dasmën e tyre.
– Profesor, gjatë këtij aksioni hasëm në toponime, si Lëndina e Varreve, Kodra e Varreve e ato tashti po ripagëzohen, si Lëndina e Pajtimit, Kodra e Pajtimit, Lëndina e Krushqve etj. Ç’do të shtonit për këtë ripagëzim?
Anton Çetta: Ne nuk dimë kur ka ndodhur ngjarja, që lidhet me Varret e Krushqve, por e dimë datën e Kodrës së Pajtimit… Janë këto toponime origjinale nga populli dhe kuptimplote!
– A mund të veçoni ndonjë çast, kur jeni prekur thellë gjatë këtij aksioni?
Anton Çetta: Rasti i Llaushës së Drenicës, kur Nezir Vojvoda fali gjakun e të birit e ky ishte djali i tij i tretë që kishte humbur jetën tragjikisht (i dyti, Selmani, u vra sivjet nga Aradha e Bashkuar e Milicisë në Mitrovicë). Ai na priti, na fali gjakun dhe na përcolli si burrat, por kur dolëm, mendova: “Ky burrë tashti do të mbetet vetëm…”. Atëherë më shpërtheu vaji, por ja edhe kjo është jeta, fati ynë.
– Profesor, në fund e lyp burrëria dhe e do rendi të na lësh ndonjë porosi apo urti.
Anton Çetta: Të bëni çmos, që deri në Vitin e Ri të mos ketë më asnjë gjak të pafalur në Kosovë. Të ndikojmë me fjalën tonë të urtë, të shtrihet dora e pajtimit. Pse të bartim këtë barrë të rëndë e të neveritshme, kur na fisnikërojnë virtyte të tjera të larta nga tradita, si BESA, BUJARIA, MIKPRITJA, GAJRETI, PRA, PLAGËN E GJAKMARRJES. TA ZHDUKIM!
(Përgatiti: Mal Qorraj)