
Anton Quni nuk e përjashton koalicionin me LV-në: Personalisht nuk kam vija të kuqe
Anton Quni nga LDK-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë personalisht nuk kam vija të kuqe, përkundër gjitha atyre frustrimeve dhe konfuzioneve që janë shkaktuar, këto janë çështje që diskutohen në organet më të larta të LDK-së”, ka thënë Quni për rtv21.
Megjithatë, sipas tij për t’u arritur një gjë e tillë duhet të arrihet të implementimet programi i tyre qeverisës.
“Janë shumë të panjohura të cilat do të munden për t’u diskutuar, ne e kemi një program politik me të cilin u kemi bërë ofertë qytetarëve dhe për të cilin ne besojmë se Kosovën e nxjerr nga ky qorrsokak. Edhe nëse ne arrijmë si parti politike për ta implementuar programin tonë qeverisës, atëherë duhet të merren në konsideratë të gjitha opsionet”, ka thënë Quni.
Derisa Quni komentoi kërkesën e ndërkombëtarëve për një qeveri stabile, ai ka thënë se qeverinë e ardhshme e presin procese komplekse.
“Kërkesa e ndërkombëtarëve është shumë e arsyeshme nga fakti se në agjendën e cilësdo qeveri do të jenë disa prioritete esenciale për të ardhmen e Kosovës, jo vetëm të Kosovës por edhe për rajonin me gjerë. Prandaj duke filluar nga partia fitues, e cila do ta ketë mundësinë ta ndërtojë koalicionin deri të opsionet tjera duhet ta kenë parasysh këtë fakt se një qeveri e radhës duhet të jetë kredibile, për faktin se do të menaxhoj procese shumë komplekse për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Quni.