Antonio Conte flet për herë të parë pas shkarkimit nga Chelsea
Ish-trajneri i Chelseat, Antonio Conte, ka lëshuar një deklaratë pas shkarkimit të tij nga klubi londinez, ku javën e kaluar vendin e tij e ka zënë Maurizio Sarri.
Conte ka falënderuar klubin londinez për punën e palodhshme gjatë kohës sa ka qenë trajner.
“Do të doja që t’i falënderoj të gjithë shokët e mi në Chelsea për punën e tyre të palodhshme dhe përkrahjen gjatë këtyre dy viteve, ku arritëm ta fitojmë Premierligën dhe FA Cup. Për lojtarët, ku talenti i tyre dhe përqendrimi ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin tonë, i falënderoj ata për gjithçka. Ka qenë një kënaqësi që kam punuar me ta çdo ditë. Për stafin tim, të cilët punuan shumë, më duhet t’i falënderoj dhe t’ju them ju lumtë për profesionalizmin dhe dedikimin e tyre”, ka thën` Conte.
Ai ka thënë se shpreson që Chelsea do të vazhdojë të jetë klub i suksesshëm.
“E kam shijuar kohën time në Angli dhe në Londër shumë dhe dua t’i falënderoj fansat e Chelseat të cilët kanë qenë të mrekullueshëm me mua dhe familjen time. Ka qenë fantastike për mua që t’i shpërndaj emocionet, pasionin dhe entuziazmin gjatë këtyre dy viteve të paharrueshme me këta fansa të Chelsea të cilët do të jenë gjithmonë në zemrën time. Shpresoj që Chelsea do të vazhdojë të jetë i suksesshëm dhe iu uroj të gjithëve punë të mbarë për stinorin e ri. Kam krijuar shumë kujtime gjatë kohës time me Chelsean, të cilat do t’i marrë me vete në sfidën e ardhshme”, është shprehur Conte.