Anulimi i procesit të noterisë s’ishte hakmarrje ndaj askujt
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit se gjykata nuk e ka pezulluar vendimin për anulimin e konkursit të noterëve, teksa ka refuzuar një kërkesë për masë të përkohshme. “Në ditët e para si ministre procesin e noterisë, i cili ishte përcjellë me shumë shkelje, e kam anuluar. Pas kësaj, vendimi i njëjtë ishte kontestuar në Gjykatën Themelore nga disa kandidatë. Shumë prej tyre ishin të nxitur nga ish-ministri i Drejtësisë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
“Sot kuptova që Gjykata, Departamenti i Administratës, ka refuzuar një kërkesë për masë të sigurisë, gjë që e vlerësoj. Anulimi i këtij procesi nuk ishte hakmarrje ndaj askujt, por veprim i duhur për kthim të ligjshmërisë. Procese të tilla të komprometuara nuk duhet të legjitimohen”, ka shprehur mendimin Haxhiu.
(B. D.: ‘Epoka e re’)