Anulimi i takimit Kosovë-Serbi, Haradinaj shpreh habi
Kryeministri Ramush Haradinaj nuk e di pse është anuluar takimi i paraparë Kosovë-Serbi në Paris më 1 korrik.
Ndërkohë ka pasur reagime të ashpra për takimin e fshehtë me këshilltarët e presidentit Vuçiq në Berlin.
Anulimi tashmë i konfirmuar i takimit të Parisit, ku do të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi dhe një takim në Berlin i këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, që në Prishtinë u interpretua takim i “fshehtë”, ka ngjallur reagime të shumta në strukturat politike kosovare.
Kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se ai nuk ka informacione pse është anuluar takimi i Parisit. “Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk e di. Por, një gjë mund t’ju konfirmojë se Kosova është palë serioze. Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet, raporton “DW”.