Anulohen fluturimet në Hong Kong për shkak të protestës në aeroport
12 gusht 2019
| 10:59
Aeroporti ndërkombëtar i Hong Kong-ut ka anuluar të gjitha nisjet, pasi protestat antiqeveritare në terminalin e tij kryesor vazhdojnë për ditën e katërt.
Mijëra protestues janë mbledhur në aeroportin i cili është një nga më të ngarkuarit në botë.
Në një deklaratë, aeroporti ka bërë me dije se ky tubim publik kishte shkaktuar pengesa serioze në funksionimin e tij.
Shumë prej atyre që protestojnë janë kritikë ndaj veprimeve të policisë, të cilët të dielën u xhiruan duke hedhur gaz lotsjellës dhe municion jovdekjeprurës në një distancë të afërt.
Protestat masive dhe trazirat në Hong Kong nuk tregojnë asnjë shenjë qetësie, më shumë se dy muaj pasi ato u nxitën nga një projektligj i diskutueshëm për ekstradimin.