Anulohen qindra fluturime në Gjermani, shkak greva
10 janar 2019
| 14:13
Aeroportet gjermane i kanë anuluar mbi 600 fluturime, për shkak të grevës së stafit të sigurisë.
Greva ka përfshirë aeroportet në perëndim të vendit: Dyzeldorf, Këln dhe Shtutgart.
Në Dyzeldorf, aeroportin e tretë më të madh të Gjermanisë, rreth 60 000 pasagjerë janë prekur, pasi dy të tretat e fluturimeve janë anuluar, raportoi televizioni “ARD”.
Sindikata e punëtorëve Verdi kërkon rritjen e pagesës në 20 euro për orë për stafin e sigurisë, nga 17 euro sa është tani.
“ARD”-ja ka theksuar se shumë udhëtarë kanë pasur kohë të sigurojnë bileta alternative të udhëtimit, pasi greva ka qenë e paralajmëruar.
Sipas burimit të njëjtë, stafi i sigurisë është shumë i zemëruar me kushtet e punës.