Anulohen qindra fluturime në Nju-Jork pas reshjeve masive të borës
Reshje të dendura dëbore të parashikuara gjatë paradites së sotme çuan në anulimin e qindra fluturimeve në aeroportet e Nju Jorkut.
Rreth 470 fluturime, ose rreth 37% e totalit të planifikuar për nisje apo mbërritje në aeroportin ndërkombëtar të JFK-së, u anuluan rreth orës 09:00 sipas asaj lokale, 550 fluturime ose 44% për aeroportin ndërkombëtar të Newark dhe 485 (42%) për aeroportin e La Guardias, që lidh kryesisht shtetet amerikane, sipas web-it që ndjek fluturimet FlightAware.
Agjencia që mbikëqyr tre aeroportet, Autoriteti Portual, i cili është kritikuar gjerësisht për kaosin e krijuar pas reshjeve masive të dëborës në fillim të janarit, bëri me dije se çdo aeroport kishte marrë si masë paraprake pajisjen me shtretër portativë, batanije, pelena dhe qumësht për foshnja, përcjell Atsh.
Rreth 15 deri në 25 centimetër dëborë pritet të regjistrohet në qytetin e Nju Jorkut gjatë mesditës dhe rreth 50 centimetër në zonat më rurale të Shtetit të Nju Jorkut, Nju Xhersit dhe Connecticut.
Shkollat publike të Nju Jorkut, gjykatat si dhe shërbimet publike vijojnë punën si zakonisht.