Anulohen seancat publike të 20 dhe 21 tetorit në rastin e Pjetër Shalës
Dhomat Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se seancat publike të planifikuara të mbahen më 20 dhe 21 tetor 2022 për konferencën përgatitore për gjykim ndaj Pjetër Shalës janë anuluar.
Gjithashtu DhSK-ja ka bërë me dije se më 20 tetor, trupi gjykues do të takohet me disa nga palët, në seanca “Ex-parte”.
Ndërsa trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, kishte caktuar konferencat përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga data 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD).
Ndryshe Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.