Anulohen zgjedhjet në Ohio
Guvernatori i Ohios në Shtetet e Bashkuara, Mike DeWine, njoftoi të hënën në mbrëmje se Departamenti i Shëndetësisë ka dhënë urdhër për mbylljen e të gjitha qendrave të votimit për zgjedhjet e së martës për t’i mbrojtur votuesit dhe punëtorët e zgjedhjeve nga përhapja e koronavirusit. “Gjatë kohës kur po përballemi me një krizë të pashembullt të shëndetit publik, mbajtja e zgjedhjeve nesër do t’i detyronte punëtorët e zgjedhjeve dhe votuesit që ta vendosin veten në një rrezik të papranueshëm të shëndetit për infektimin me koronavirus”, thuhet në deklaratën e guvernatorit.
Njoftimi i tij erdhi pasi një gjykatë e refuzoi një përpjekje të fundit për t’i shtyrë zgjedhjet e Partisë Demokratike për një datë tjetër gjatë këtij viti, shkruan “Politico”, transmeton Gazeta Express.
Ohio ishte një nga katër shtetet ku planifikoheshin zgjedhje për të martën, bashkë me Arizonën, Floridën dhe Illinoisin. Zyrtarët në këto tri shtete thanë se zgjedhjet do të mbahen ashtu siç janë planifikuar.
DeWine propozoi që këto zgjedhje të mbahen në shtator të këtij viti, por besohet se një gjë e tillë është e pamundur për shkak të afërsisë kohore me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.