Anulohet gara e madhe e çiklizmit, shtyhet edhe kampionati
Federata e Çiklizmit e Kosovës sot ka marrë lajmin e keq për anulimin e garës me prestigjioze të çiklizmit në vendin tonë, “Tour of Kosova”.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha.
Nuha ka thënë se Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI), ua ka dërguar protokollin për zbatimin e masave anti-Covid19, i cili është i pa implementushëm në Kosovë, për shkak të specifikave dhe rrezikut të lartë.
Andaj Federata e Çiklizmit e Kosovës, duke parë numrin e madh të rasteve të paraqitura dhe interesimin e madh për pjesëmarrje nga vendet evropiane, ka konsideruar se paraqet rrezik të lartë organizimi eventual i kësaj gare këtë edicion.
Në anën tjetër, këtë fundjavë parashihej të organizohej kampionati i Kosovës, i cili në kuadër të masave të marra nga FCK do të shtyhet për fundjavën tjetër më 29 e 30 gusht.