Anulohet konkursi për Drejtor të Zyrës për të Drejtat e Autorit në Ministrinë e Kulturës
Pas raportimit të Albanian Post është anuluar konkursi për pozitën e Drejtorit të Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Përafërta në kuadër të Ministrisë së Kuluturës, Rinisë dhe Sportit. Krejt kjo sherri i shkeljes së procedurave, në radhë të parë nga vetë kandidati për këtë pozitë, person i afërt i ministrit të këtij dikasteri.
“Në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publik, Rregullores për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil dhe Opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton për anulimin e konkursit për pozitën Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Përafërta”, thuhet në vendim.
Albanian Post ka raportuar në korrik për konkursin e kurdisur për Drejtor të Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Përafërta. Ky konkurs ishte hapur më 30 maj, ndërsa pozitën e kishte “fituar” njeriu i afërt i ministrit, Xheladin Krasniqi, i cili kishte avancuar në katër pozita të ndryshme në Ministrinë së Kulturës për 48 orë.
Më 29 gusht 2023, ai ishte akomoduar si zyrtar në Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Përafërta. Në këtë pozitë kishte qëndruar për disa orë, pastaj kishte kaluar në pozitën e zv/drejtorit. Një ditë më vonë, më 30 gusht, ai ishte caktuar Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, pozitë të cilën vazhdon ta mbajë.
Ndryshe, të gjitha këto lëvizje ishin bërë me qëllimin që të arsyetohej ligjërisht emërimi i Krasniqit si Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, duke qenë se ligji nuk lejon që të emërohet sekretar dikush që nuk mban pozitën e drejtorit në ndonjë nga departamentet përkatëse në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.