Anulohet ndeshja Drita-Lienfield, shkak Covid-19
UEFA e ka anuluar ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Dritës dhe Lindfieldit, pasi edhe një tjetër futbollist i Dritës ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Ndeshja ishte paraparë të zhvillohet në Nyon të Zvicrës, në “Colovray Stadium” nga ora 18:00 në pasditen e sotme.
“Pas vendimeve nga autoritetet zvicerane të shëndetit, në bashkëpunim me UEFA-n, e gjithë skuadra e Dritës është në karantinë. Kjo pasi edhe futbollisti i dytë i Dritës ka rezultuar pozitiv me Covid-19, para ndeshjes me Lindfieldin të planifikuar për 11 gusht, nga ora 18:00 në Nyon të Zvicrës – dhe e njëjta nuk mund të luhet. Futbollisti që rezultoi pozitiv dje, kishte rezultuar negativ në testimet e së premtes, ashtu si edhe e gjithë skuadra e Dritës kishin rezultuar negativ me të ardhur në Zvicër. Tani çështja do të shqyrtohet nga Komiteti i Etikës së UEFA-s për një vendim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Për anulimin e ndeshjes ka njoftuar edhe Drita në faqen zyrtare të saj: “Ju njoftojmë që ndeshja finale e parapare të zhvillohet sot ne ora 18:00 me kampionin e Irlandës se Veriut, Linfild është anuluar. Vendimi është marre nga autoritetet zvicerane për shkak që në testimin e fundit një lojtare i klubit tonë ka rezultuar pozitiv! Vendimi për fatin e ndeshjes do të merret në ditët ne vijim nga komisioni i disiplinës”.