Është anuluar seanca gjyqësore e cila ishte paraparë që të mbahej sot, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës, Etem Arifi, pritej që sërish të dilte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Etem Arifi
Nga zyra e gjykatësit Vesel Ismajli është bërë e ditur se gjykatësi Naser Foniqi mungon pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe si shkak i mungesës së tij nuk është arritur që të kompletohet trupi gjykues. Sipas tyre, paraprakisht dje është anuluar seanca gjyqësore dhe për këtë janë njoftuar edhe palët.
Gjykata e Apelit, kishte vendosur që Arifi të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.
Etem Arifi ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.
Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi,
Por, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej tre vjet pas plotfuqishmërisë së dënimit.
Etem Arifi, akuzohej edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, mirëpo ai ishte liruar nga kjo akuzë, pasi sipas gjykatës së shkallës së parë, nuk është provuar se ai ka kryer këtë vepër penale.
Të akuzuarit ishin obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro. Ndërsa, në qoftë se ata nuk i kompensojnë këto shuma në afat prej gjashtë muajsh, dënimi me kusht do të revokohet.
E këto dënime të shqiptuara nga shkalla e parë, pas ankesës së prokurorisë, ishin ashpërsuar nga ana e Gjykatës së Apelit, më 28 mars 2019, me ç’rast, Arifit i ishte ashpërsuar dënimi në burgim efektiv prej një vit e tre muaj.
Po ashtu, shkalla e dytë ia kishte ashpërsuar dënimin edhe të akuzuarit tjetër në këtë rast, Bajram Gashit, duke e gjykuar atë me një vit burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e shkallës se dytë, i kishte obliguar të dy të akuzuarit, që t’ia kompensojnë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në emër të dëmit të shkaktuar shumën prej 22,900 euro kurse Zyrës së Kryeministrit, shumën prej 2,749 euro.
Gjithashtu, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores për sa i përket veprës penale të ushtrimit të ndikimit, për çka deputeti Arifi, ishte liruar nga akuzat nga shkalla e parë, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Por, pasi që mbrojtja e Arifit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, rasti ishte kthyer në rivendosje nga ana e Gjykatës Supreme në qershor 2019, me arsyetimin se e njëjta gjykatëse që kishte vendosur lidhur me ankesat në fazën e konfirmimit të aktakuzës, kishte marr pjesë edhe në kolegjin që e kishte nxjerr aktgjykimin në këtë lëndë.
Edhe pas kthimit në rivendosje, Apeli kishte vendosur njëjtë sikurse herën e parë duke ia ashpërsuar sërish dënimet Arifit dhe Gashit.
“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore DKR-së në Prishtinë, PKR.nr.740/16 i datës 20.04.2018, në pjesën gjykuese sa i përket vendimit mbi dënimin dhe detyrimisht përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale ashtu që kjo gjykatë gjen se në veprimet e të akuzuarve Etem Arifi dhe Bajram Gashi, si në pikën 1 të dispozitivit të aktgjykimit formohen elementet e veprës penale mashtrimi me subvencione nga neni 336, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 e 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe për këtë vepër penale i gjykon të akuzuarin Etem Arifi, me 1 vit e 3 muaj burgim ndërsa të akuzuarin Bajram Gashi me 1 vit burgim”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.
Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, Gashit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në ndalim nga 1 korriku 2014, e deri më 3 korrik 2014, si dhe qëndrimi në paraburgim nga 2 qershori deri më 27 korrik 2016, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 27 korriku, deri më 27 gusht 2016.
Të dy të akuzuarit janë obliguar gjithashtu që në emër të dëmit të shkaktuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t’i kompensojnë shumën prej 22,900 euro ndërsa Zyrës së Kryeministrit shumën prej 2,749 euro në afat prej tre muajve.
Gjithashtu, njëjtë sikurse kishte vendosur edhe herën e kaluar, Apeli e ka anuluar vendimin për veprën penale të ushtrimit të ndikimit për çka akuzohet Arifit, duke e kthyer në rigjykim rastin për këtë vepër.
Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë e ka liruar Arifin për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, por në arsyetimin e saj nuk ka jep asnjë arsye të vetme se pse e ka liruar nga akuza.
“Meqenëse, gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar të akuzuarin Etem Arifi e ka liruar nga akuza për veprën penale Ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1, të KPRK-së, në mungesë të provave është dashur të jep arsyetim përkitazi me bazën ligjore për të cilën e ka liruar, kurse mungesa e një arsyetimi të tillë, paraqet shkelje esenciale të dispozitave procedurale”, thuhej në vendimin e Apelit.
Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar shkallën e parë t’i eliminojë shkeljet e cekura dhe pas administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre të merr vendim të drejtë dhe ligjor.
E pakënaqur me vendimin e Apelit, mbrojtja e Etem Arifit, i ishte drejtuar sërish Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, kësaj radhe, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë i ishte refuzuar nga kolegji i Gjykatës Supreme.
“Ju njoftojmë se Gjykata Supreme ka vendosur lidhur me rastin PML nr. 380/2019 me datë 30 janar 2020. Kolegji i Gjykatës Supreme, ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje te ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e E.A., e ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit.”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Supreme të dhënë për “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Etem Arifi akuzohej se ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646.00 euro.
Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë
Etem Arifi, në shtator të vitit 2020, është vetë dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për vuajtje të dënimit.