Anulohet turneu i parë post-pandemisë në tenis
Rikthimi i normalitetit në sportin e tenisit duket sërish i largët. Organizatorët e turneut ATP Washington kanë konfirmuar anulimin e tij.
Ky turne duhej të niste më 14 gusht, por nuk do të organizohet. Turneu i Washingtonit do ta rikthente sportin e tenisit pas pesë muajsh pushim prej pandemisë së Covid-19, por tashmë gjithçka është enigmë për sa i përket së ardhmes së këtij sporti. Vendimi është marrë duke parë masat e rrepta që kanë marrë autoritetet amerikane për sa i përket udhëtimit me avion, teksa shumë fluturime ndërkombëtare janë anuluar.
Gjithashtu, edhe rastet me koronavirus në Washington janë shtuar kohët e fundit. Kjo situatë ka vënë në dilemë edhe grand slam të US Open, që nis më 31 gusht në Nju Jork. Organizatorët shprehen se për momentin nuk ka asnjë ndryshim dhe se ai do të zhvillohet normalisht, por situata është ende kaotike. Guri i provës për sa i përket fatit të US Open do të jetë turneu Masters i Sinsinatit, që zhvillohet në Amerikë më 20-28 gusht. Organizimi ose jo i këtij turneu do të vendosë edhe për sa i përket grand slam-it njujorkez.