Anulohet turneu ‘Lah Nimani’
Federata e Boksit e Kosovës ka njoftuar se turneu tradicional kushtuar legjendës “Lah Nimani”, është anuluar.
Ky turne ishte paraparë të zhvillohet më 19 dhe 20 shtator, por është anuluar përshkak të koronavirusit. Sipas njoftimit të FBoxK-së, MKRS-ja nuk ka siguruar lejen për mbajtjen e turneut në fjalë.
Federata e Boksit të Kosovës, përkundër përgatitjeve me kohë të organizimit të turneut ndërkombëtar ‘Lah Nimani’, i cili është paraparë të mbahej me 19-20 shtator në Prishtinë, anulon turneun për kohë të pacaktuar. FBoxK-ja ka bërë kërkesë më 31 gusht 2020 në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, për të marrë lejen e organizimit të turneut, gjithnjë duke zbatuar me përpikëri protokollet përkatëse të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar Shëndetësor (IKSHPK), në lidhje me pandeminë Covid-19. Përkundër pritjeve dhe kontakteve të vazhdueshme, MKRS-ja nuk ishte në gjendje të na garantonte lejen, duke hedhur përgjegjësinë në MSH dhe IKSHPK, për çka detyrohemi për herë të tretë të mos e mbajmë turneun ndërkombëtar ‘Lah Nimani’”, thuhet në njoftimin e Federatës së Boksit.
“FBoxK-ja konsideron se IKSHPK-ja dhe MSH-ja janë përgjegjëse për dhënien e masave mbrojtëse ndaj Covid-19, ndërsa MKRS-ja në konsultim me Komitetin Olimpik të Kosovës, duhet të marrin vendimin për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FBoxK-së.
Shtetet si Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë njoftuar për anulimin e turneut “Lah Nimani”. Federata e Boksit e Kosovës ka kërkuar që të zhvillohen aktivitet në boks ashtu sikurse në Evropë.
(V.Z / Epoka e re)