APATI

28 qershor 2024 | 08:49

MUSA RAMADANI

Isha përmbushur me diç që nuk di as se si ta emë­roja, andaj padashur iu qasa dritares si një shpëtimtari në çastet më të dobëta, kur njeriu është i kapluar ndje­njash, e nuk mund të diferencojë atë më të fuqishmen, kryesoren, që do zgjidhje aty për aty, jo më larg. Pa ndonjë formalitet të rastit, e hapa dritaren hapekrah si një zemër altruisti të kohës dhe sytë lëshuan grepin në pikën ose detajin më interesant këndejpari në natyrë. Tej meje gjendej parku i madh, përskaj të cilit kalonte lumi i rrëmbyeshëm dhe krenar. Mbi lumë dukej ura, një urë e vjetër, ndoshta sa edhe vetë lumi apo edhe uji i tij i shkumbëzuar, nëpër të cilin në atë çast po kalonte një njeri me rroba as të zeza as të bardha, po disi si të përhimëta e të rralla, duke mbajtur nën sqe­tull diç të mbështjellë me gazetë, por jo të sotmen e, në anën tjetër me një dorë në xhep, të cilit thuajse nuk ia gjente fundin nga çapuritja. Ura, dëshmi e një kohe më vete, aq e vjetër, po aq sa ishte i ri ai i paidenti­fikuari, këmbësori ballëhapët që nuk do të ndiejë për aksident… Duke shikuar gjatë këtë ngjarje pa fjalë, qesha një herë me vete dhe pas kësaj më shkrepi në kokë: po sikur të do ajo që nuk duhet, por që, megji­thatë, mund të ndodhë, me fjalë të tjera: po të shembej përnjëherë ajo urë – çfarë do të bëhej atëbotë, vallë? Njeriu, ai i paidentifikuari, do të shkundej dhe do të bënte takim të paparamenduar me ujin, e mund t’i thoshte edhe lamtumirën e fundit kësaj bote mbi ujin e urën që nis nga të dy anët e brigjeve të lumit dhe të sosur nuk ka ndoshta askund.

Ja, si dhe çfarë është jeta?

Këtu fillon edhe përsiatja ime që nuk ka kufi…

Përnjëherësh diç sikur më urdhëroi: zmbrapsi të gjitha jashtë teje e dhomës sate të humbur! Dhe unë, si ndo­një ushtar tejet i dëgjueshëm, veprova aty për aty duke përfillur në tërësi rekomandimin e panjohur. Lashë pas dore: edhe urën, edhe lumin, edhe atë kalimtarin e paidentifikuar të rastit, edhe tekembramja çdo gjë tje­tër që do të pikasja apo jo në natyrë. Në shenjë të një proteste, nuk di mirëfilli se ndaj kujt, mbylla vendo­smërisht dritaren, madje pakëz më rrëmisht se rën­dom, apo më mirë: më rrëmisht sesa e pata hapur më parë. T’ju them të drejtën, këtë formalitet në minia­turë e bëra jo për tjetër, por vetëm për shkak të një principi (principet private janë në modë dhe të mjafta në shekullin tonë të fundit) të thjeshtë: nuk preferoj të hyj e as të dal gjë nga kjo dhoma ime e pakrijuar dhe e pagjetur kurrë më. Aq më pak nga dritarja… dritarja është sy, e kush thotë se nuk është edhe gojë? Ato, dri­taret, qofshin të mëdha o të reja o të vjetra, të gjitha pa kurrënjë dallim m’i kujtojnë mbeturinat e gjinisë femërore, të cilat zyrtarisht i emëruam edhe: mante­nuta… ato që pa orar të caktuar rrugësh ofrojnë… dri­taret…

… Unë jam në këtë dhomë. E dhoma nuk është imja. Megjithëse unë jam brenda. E Brenda janë edhe katër mure, duke mos llogaritur tavanin. Dhe asgjë tjetër pos asaj se është e përmbushur me zbrazëti. E vetmja mbretëri që ka ngrehur fron konsiderohet vetmia dhe heshtja, atëherë kur fuqitë i bëjnë një. Heshtja dhe vet­mia të palindura dhe të pazhdukura dot më… Mirëpo, mbasi nata ishte lehonë, gjithçka kishte ngrehur krye pa ndonjë obligim për t’u solidarizuar në atë pritje të përgjithshme. Për një çast hija e pamatur parakaloi burrërisht para dritares së dhomës sime. Pakëz më vonë, dritarja u pushtua krejtësisht: një shpend i çudit­shëm dhe i madh sa një helikopter, zuri vend si të donte të pushojë më gjatë. Dukej i zi, saqë nuk i dalloja gati fare gjë, as krahët e as këmbët, pos atij sqepi, të gjatë dhe të kthyer si opinga përpjetë. Kjo gjë më kuj­toi dyshimin, ngase sa e sa herë kisha parë shpendë të ndryshëm, e te asnjëri nuk kisha veneruar një sqep kaq të madh e të mneruar, madje aq më pak të kthyer në anën e përkundërt prej të tjerëve si opinga thikë përpjetë. Por, si i fshiva nga frika e çastit sytë pa qëllim, u binda qind për qind se ngjarja në fjalë nuk kishte fije farefisnie me ëndrrën. Shpendi ngrehu një copë herë kokën lart, e pastaj sikundër kasapi që mpreh thikën, e lëmoi sqepin për trupi majtas e djathtas pa zë. Kur e drejtoi sqepin sërish, tani më ai feksonte lëbyrshëm thuajse ishte bilur e jo sqep. Pa pritur nga brendia desh të më shkëputet një grahmë në formë: “Shpo­rru…, të cilën preventivisht e mbyti një ngjethje e rry­muar trupi që pasoi vezullimi i sqepit të kthyer për­pjetë. Shpendi u largua tej meje e dritares sime në hapësirën e lirë e të papushtuar dhe bëri disa rrotu­llime të harmonizuara dhe i ngjasonte më tepër një parashute të shpendit të çuditshëm pa krahë e këmbë, në mos i ketë fshehur këto pjesë përbërëse të trupit me ndonjë qëllim të caktuar. Rrotullimi i fundit ishte një imitim gati origjinal i saltomortales, sa unë i mahnitur me një këso të papriture, për pak i vajta në ndihmë. Por jo. Ai ngeli sakaq në ajër pezull si një kornizë e varu në mur, dhe me një shpejtësi uragani sa hap mbyll sytë arriti te dritarja ime, e vetmja, duke i zaptuar të tëra dimensionet e saj. Në mua u ngjall frika e mëpar­shme, që sa vinte e shndërrohej në tmerr të vërtetë, duke më sunduar dëshirës tërë trupin brenda lëkurës sime skofiare. Shpendi shikonte kah unë. E unë, vetëm përgjoja kah ai, në të vërtetë sqepi i tij. Rrija ulur në dysheme, rrethuar nga letrat e bardha. E ai nuk di se rrinte, ngaqë nuk shihja gjë tjetër prapa sqepit të tij të pavëllim e dimensione. Përmes na ndante sall një paravan ose, thënë më mirë, na ndante qelqi i tejduk­shëm i dritares. Tani vetvetiu më shkrepi në kokën time të madhe mendimi se si do të ishte shumë më mirë sikur kjo dritare të mos ishte prej qelqi, por ndonjë materie tjetër, çfarëdo qoftë të paparë. Apo: të mos ekzistonte fare kjo dritare, edhe pse është për mua e vetmja lidhje e zhdrejtë me natyrën. Se shpendi e tradhtoi mbretërinë e heshtjes dhe të mirësjelljes madje, dhe nisi të fryhet e shfryhet mu si një buallicë e rraskapitur pas ndjekjes nga i zoti. Sa herë që fryhej e shfryhej, më bëhej se nga sqepi i kthyer përpjetë i dilte njëfarë tymi, që nuk të kujton asgjë tjetër, përveç gry­kës së lokomotivës kur niset nga stacioni. Pas solem­nitetit të fryrjes dhe shfryrjes, shpendi nisi t’i bjerë dritares me sqepin e vet të kthyer në anën e përkun­dërt. Për çudi, i binte dritares nga ana e poshtme lehtas, dhe disi ritmikisht, përderisa nuk filloi t’i shtojë të rënat dhe intensitetin e tyre. Tanimë ato arrinin si goditje të rënda boksiere, prej të cilave krijohej oshtima e dridhja lemeritëse e qelqi ose ishte njëfarë kopje himeni elastik, ose kishte përqafuar parimin e qëndresës ose – fundi i fundit na ishte ndonjë qelq nga bota e çudirave dhe përrallave të së kaluarës, se ndryshe nuk mund ta merrja me mend që ajo fuqi e shpendit të mos arrinte qëllimin e vet…

Përnjëherë ra krejt në fashë, sikur shpendi i zmbra­psur të ketë hequr dorë vullnetarisht, krejtësisht nga një punë absurde. Por, rrezja e shpresës sime nuk u shndërrua në gëzim. Ai ndërmori hapin tjetër: uli sqe­pin tejet poshtë dhe prej asaj pozite nisi ta presë qelqin në një rreth me një lehtësi të paparamenduar e të pabe­suar madje. Me t’i përbiruar në stilin e një dhelpre dinake, ai hyri i tëri në dhomë e dritarja u hap vetë. Shpendi më bëhet se qeshi, tejet ngadalë, e duke dyn­dur sqepin majtas e djathtas plot domethënie. Atëbotë shpendi apo sqepi i tij më urdhëroi të hipja në dritare, veprim të cilin e bëra pa përtesë e zor. Edhe ai hipi në dritare. Prej aty më tregoi të lëshohesha në tokë dhe për t’u siguruar në mua pa droje, më kapi me sqepin e tij për flokësh për të më shpënë zhargas vendeve pa shtigje të natës së madhe lehonë. Në atë pozitë, derisa ai më tërhiqte të zvarritur përtokë, për herë të parë, sinqerisht, dëshirova të mos kisha fare flokë në kokën time të zënë rob. Nejse, nuk e kisha aq për flokët as kokën edhe pse dhembja e bënte të veten, por më habiste një gjë tjetër vetmore. Derisa prej kësaj kokës sime ditë e përditë në shenjë proteste apo diçkaje tjetër binin flokët varg e vijë, tani kur ishin në më të madhin zor asnjëra nuk këputej as çrrënjosej, por qëndronin të paepura si fije të forta metali në kokën time prej eshtrash e mishi.

Ai më tërhiqte zvarrë si një pupël të lehtë. Unë shikova veten: i tëri isha përlyer e përshkëllirë. Njëra këpucë kishte fituar lirinë dhe ishte lëçitur përgjithnjë prej këmbës sime: kështu që mu për atë këmbë më ishte zënë një therë rrumbullake, e cila nuk hiqej assesi po ishte kapur fort si fëmijë për fund të së ëmës. Panta­llonat ishin zgjidhur që nga brezi dhe kishin zbritur gjer tek ai vendi i nënkuptuar që e quajmë edhe: vendi i turpit… Barku i tërë, pra, merrte frymë lirisht sikun­dër edhe një pjesë e shalëve… e një shkop, ashtu si ata që hahen të shkurtër, por me majëshigjetën e vet rrinte i ngulur vertikalisht krejtësisht në vrimën e kërthizës sime sa unë edhe po të doja, nuk mund të thërrisja në ndihmë o të vajtoja, e as të merrja frymë thellë… Shpina, prapëseprapë hiqte të zezën më të madhe, sa po të ishte e mundur të ankohet e pagoja, do të thoshte: deri kur më unë të pësoja PËR të tjerët: bën barku, e heq shpina; bën koka, e heq shpina… parzma ruante smirëzisht pavarësinë e vet: aty ndodhej çdo gjë në rregull, sall ora ku kushedi se si kishte dalë prej xhepi, por nuk ishte shkëputur krejtësisht, veçse lëva­rej dhe duke prekur tokën e dyshimtë ishte laparosur nga balta e zezë, e megjithatë tik-takja jehonte të vogël pa ndërprerë dhe vinte posi zbavitje dhe ngushëllim i mirëseardhur e natës lehonë… Vetëm koka, për çudi, mbante qëndrim të denjë, të mëparshëm, bashkë me flokët që ishin befasia më e madhe e trupit tim nga qëndresa… ani pse rruga ende zgjaste dhe një djall e di se ku e kishte fundin nëse e kishte…

Këtu fillon gëzimi dhe pikëllimi im, këtu. Në këtë dhomë të mbramë të botës ku heshtja këndon e vetmia vajton si fëmijë. E jeta ime nuk di e as që më intereson për më tepër se ku fillon e as ku mbaron, jeta ime, pra, mirëpo e di se mbeti peng këtu brenda këtyre katër mureve të mbarsura me klithje e psherëtima të kota. Paj, gjithkund është jeta ime në këtë dhomë ku, si thashë, jam unë, e ajo nuk është imja, gjithkund: në dyshemenë ku ajo mund të shtrihet gjerë e gjatë, në dorëzën e derës, që hapet e mbyllet menjëherë vetëm për nevojë të domosdoshme, në shtratin e gjerë të mëkateve, me ndërrimin e gjumit dhe zgjimit tim, në dritaren vetmore, që shuan mallin e syve të mi dhe gjithkund tjetër e më së shumti pranë makinës sime, ku merr frymë dhe ngulshon pankohshëm jeta ime.

Këtu është gjunjëzuar jeta ime.

E unë nuk di se çfarë do të thotë: jetesa. Unë ndiej se jetoj vetëm brenda këtyre dy fjalëve: ide dhe zë! Po, vetëm kur këndoj dhe përsias e di përnjëmend se jetoj. Atëbotë e ndiej fuqinë dhe ligësinë e saj brenda lëku­rës sime se si përvidhet mishit tim dhe eshtrave të mi, gjakut tim dhe djersës sime, duke ngjallur mishin e fjetur, duke zgjuar eshtrat e ngathtë dhe duke përtërirë gjakun e ngrirë të mishit, eshtrave dhe lëkurës sime të shtrenjtë. E vetmja kënaqësi imja është të përsiaturit që nis e sos spontanisht pa kurrfarë orari. Kjo është e vetmja reprizë që nuk më zgjon farë neveri as bezdi, por përkundrazi më shpie në largësitë më të largëta të botë së trilluar. Interesant, shpesh më shkon mendja: sikur të jetë e mundur që ndokush i fshehur prapa shpinës sime të shënonte stenografikisht tërë atë blojë në kokën time, jam tejet i sigurt, duke mos nënçmuar as dyshuar në kualitetet e mia, se nga frutet e përsia­tjeve të mia të gjithmbarshme do të dilnin fragmente të fuqishme lakuriqe jete, pas bashkimit dhe radhitjes së të cilave do të fitohej romani i pamohueshëm dhe i përnjëmendtë. Romani i njerëzimit! Por jo! Mjerisht kjo është dëshirë, madje dëshirë që nuk plotësohet, sendërtohet dhe nuk mund të gjejë vend në rend dite të kurrënjë mbledhjeje hëpërhë. Po, ashtu është ligji i pamundësisë në jetë. Njerëzit shpikën gjëra që mezi mund t’i kapë mendja, shpikën krejt e gjithçka për njeriun dhe kundër tij, për shpirt dhe kundër tij, për dashuri dhe kundër saj… e atë që dua unë, jo, atë nuk mund ta shpikin, thuajse tanimë janë ligështuar sysh, janë liruar fuqish, janë varfëruar në shpirt dhe janë shterur mendsh për misione të këtilla altruiste në këtë shekull prore lehonë mëkatesh tona…

E di, secili mund të çmendet e lafitet në mënyrën e vet, kurdo që merr guximin të përsiasë e të meditojë gjatë e thellë mbi krijesën më të përsosur dhe kom­plekse dhe: jetën e vdekjen. Megjithatë, unë përsias se aty edhe buron kënaqësia, prehja dhe begatia e shpirtit tim. Fundi i fundit, të jetosh vetëm e vetëm për të ekzistuar, është një marri e pakundshoqe në këtë jetë! E për të përsiaturit – nuk paguhet asgjë, kjo është punë qejfi, durimi e lever­die. Po qe se është lumturi ajo kënaqësia që e gjen dhe e ndien njeriu në punën që kryen, atëbotë pa fije ngurrimi në këtë pikëpamje edhe unë qenkam i lumtur!…

Vërtet, njeriu nuk di, për këtë edhe shkon ballëhapët kudo që të ketë mësyrë. Ai nuk e njeh fatkeqësinë, nuk paramendon aksidentin, nuk preokupohet nga dilema e madhe, prandaj edhe e papritura është siguria më e pasigurt e çastit. Ja: kalonte njeriu i paidentifikuar urën. Atë urën mbi lumë të vjetër. E lumi ndodhej dhe rridhte poshtë. Po, lumi, mandej ura, dhe së fundit njeriu i paidentifikuar. Ai që kalonte mbi urë, me hap të sigurt, pa drojë dhe paragjykime. Ecte këmba këm­bës pa fije ngutie. E sikur ura, ajo mbi lumë, por nën këmbët e tij, të rrëzohej sakaq? Po t’i thoshte lamtu­mirën kohës në çastin e fundit? Atëbotë çfarë? Ura do të lëshohej e tëra mbi lumë. Lumi nuk do të kishte më strehë, stacionin e valëve të shkumbëzuara. Njeriu nuk do të kalonte më mbi urë. Se lumi e mori urën, edhe njeriun e mori. Urën. Njeriun. Edhe urën edhe njeriun. Jo edhe njeriun edhe urën. I adoptoi në gjirin e vet për të udhëtuar falas nëpër toka e ujëra tona e të huaja rrugës së pakthim gjer në stacionin e fundit.

Pih, aksidenti, emër i lëçitur nga mbamendja jonë!

 

Marrë nga libri “Fluroma”, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, ribotuar nga N. Sh. “Armagedoni”, Prishtinë, 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk pret që…