
Apeli anulon gjobën ndaj avokatit të Naim Murselit, kthen çështjen në rivendosje
Gjykata e Apelit të Kosovës ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit gjykatësja, Fatime Dermaku me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve e kishte dënuar me gjobë prej 500 euro avokatin e Murseli, Shemsedin Piraj.
‘APROVOHET si e bazuar ankesa e avokatit Shemsedin Piraj, ANULOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda,…, dt.31.01.2025, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje”thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, avokatit Shemsedin Piraj i ishte shqiptuar një gjobë prej 500 euro nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, me arsyetimin se pa ndonjë arsye kishte tentuar të vononte procesin gjyqësor.
Më tej thuhet se gjykatësja Dermaku kishte marrë këtë vendim pasi Piraj, duke mos respektuar urdhrat e saj, nuk e kishte lejuar vazhdimin e shqyrtimit fillestar.
Kundër këtij vendimi, Piraj kishte ushtruar ankesë, të cilën Gjykata e Apelit e ka gjetur të bazuar.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, në seancën e kolegjit shqyrtoi shkresat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore dhe konstatoi se ankesa është e bazuar”, thuhet në vendim.
Sipas vlerësimeve të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të konstatuar se veprimet e avokatit Shemsedin Piraj e kanë penguar gjykatësen Fatime Dermaku në udhëheqjen e seancës fillestare.
Në vendimin e saj, Apeli ka sqaruar se Themelorja, përveç pohimit se Piraj ka penguar punën e gjyqtares, nuk ka ofruar asnjë arsye të qartë dhe të mbështetur ligjërisht që vërteton se ai me të vërtetë ka penguar punën e gjykatës.
Gjithashtu, sipas Apelit, kërkesa e avokatit Piraj që të mos anashkalohej kërkesa e të akuzuarit Kushtrim Kokalla — i cili kishte kërkuar të mos deklarohej lidhur me fajësinë pa u konsultuar me avokatin e tij, Ndrec Dodaj — nuk mund të anashkalohej, pasi Kokalla dhe Naim Murseli po akuzohen për bashkëkryerje së bashku me të mbrojturin e Pirajt, Naim Murselin.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar avokatin Shemsedin Piraj për të kuptuar nëse Gjykata Themelore ka vendosur në rivendosje dhe cili është vendimi, mirëpo ai ka deklaruar se ende nuk ka pranuar asnjë vendim nga Themelorja.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.