Apeli e vërteton aktgjykimin lirues ndaj Ferid Aganit e Gani Shabanit për rastin “Stenta 1”
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, dhe ish-sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabanit për rastin e njohur si “Stenta 1”.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret.
Gjithashtu Apeli ka vlerësuar se pretendimet e prokurorit se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale, janë të pa qëndrueshme ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar se prokuroria ka dështuar të dëshmoj se cilat kanë qenë detyrat, autorizimet dhe përgjegjësit e të akuzuarit Ferid Aganit në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë dhe të akuzuarit Gani Shabanit, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.
Tutje, në aktgjykim thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka përcaktuar e as dëshmuar para gjykatës se si apo në çfarë mënyre të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat dispozita apo akte ligjore nuk i kanë zbatuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme, i aprovon edhe gjykata e shkallës së dytë.
“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e prokurorit karakterizohet me përshkrime abstrakte dhe pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve, andaj, mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e shkallës se parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4, lidhur me nenin 31 të KPRK”, thuhet tutje në vendim, shkruan “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klanksovoa.tv
Në vendimin e Apelit thuhet se qartazi nga provat e administruara nuk kanë rezultuar si të provuara tiparet e veprës penale të cituara më lartë dhe as që kanë qenë të përshkruara veprimet inkriminuese në dispozitiv që do të përbënin figurën e veprës penale për të cilën janë akuzuar të akuzuarit, ashtu që nuk ka mundur të ketë alternativë tjetër të aplikimit të ligjit penal.
“Tutje kolegji i Gjykatës së Apelit është i bindur se gjykata e shkalles së parë ka arritur në përfundimin e arsyeshëm, se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se të akuzuarit F.A. dhe G.Sh. kanë kaluar kompetencat e tyre apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, andaj, me të drejtë të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprën për të cilën janë akuzuar”, thuhet në vendimin e Apelit.