Apeli ia mundëson Granit Elshanit mbrojtjen në liri

04 mars 2025 | 07:43

Një vrasje që tronditi Pejën në janarin e vitit 2010, as pas 15 viteve nuk po gjen drejtësi.

I akuzuari kryesor është Granit Elshani.

Aktakuza voluminoze e Prokurorisë e akuzon Elshanin se e vrau tani të ndjerin Besart Shabi. Në aktin akuzues theksohet se shënjestër ishte Valdet Kelmendi, mirëpo plumbi rastësisht e goditi Shabin.

E gjithë ngjarja ndodhi në një diskotekë të Pejës.

Që prej kur është arrestuar, Granit Elshani e ka mohuar përfshirjen e tij në këtë rast.

“Pjesa ku thotë që ky është plotësisht i pafajshëm…”, ka deklaruar Kosovare Elshani – avokatja e Elshanit.

Avokatja e Elshanit, Kosovare Kelmendi, i është gëzuar vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, sipas së cilit klienti i saj do të mbrohet në liri.

“Me rastin e anulimit të aktgjykimit dënues, Graniti automatikisht është kthyer në statusin apo cilësinë e të liruarit, sepse ai ka qenë i liruar prej Gjykatës Themelore në Gjakovë. Dhe domosdoshmërisht ndërpritet masa e paraburgimit, e cila masë është caktuar si rezultat i aktgjykimit dënues.”

Apeli vendosi që t’ia mundësojë Elshanit gjykimin në liri, pasi Supremja ia riktheu shkallës së dytë në rigjykim vendimin, me të cilin ai ishte dënuar me 24 vjet burgim.

Granit Elshani u dorëzua në nëntor të vitit 2024 në Polici dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.

Dorëzimi i tij kishte ardhur pasi Gjykata Themelore në Gjakovë kishte konfirmuar në shtator se Elshani nuk është gjetur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim.

Ky rast dyshohet të jetë një vazhdimësi e konfliktit mes familjeve Kelmendi dhe Elshani në Pejë, ku llogariten të jenë bërë 29 sulme me 23 viktima.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi sot…