Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-shefit të AKI-së dhe të tjerëve për rastin e “Gylenistëve”
Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që refuzoi për herë të dytë hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashit, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqit, dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmanit.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve D.G., avokat Florent Latifaj, V.K., avokat Ekrem Hoxha, dhe R.S., avokat Flakron Sylejmani, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr. 8/2021 i datës 26.08.2021, VËRTETOHET”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria. Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq, i njohur si rasti i “Gylenistëve”, nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018.
Pretendimet e mbrojtjes, sipas Apelit janë të pabazuara, pasi siç thuhet në aktvendim në esencë asnjëra prej pretendimeve në ankesë nuk përmban asnjë provë me të cilën do të vërtetohej e kundërta e aktakuzës, ashtu që edhe kërkesat mbi hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave janë të pabazuara.
Sipas këtij vendimi, rrjedh se i akuzuari nuk kishte informuar institucionet që duhej informuar sipas ligjit për AKI-në.
Aktakuzat ndaj tyre u ngritën nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 24 shkurt të vitit 2021.
Më 21 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.