Apeli pezullon zbatimin e Rregullores që SHSKUK-ja e quante nisje të reformës
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk do të mund të ndryshojë edhe për një kohë organizimin e brendshëm për shkak se dy shkallët e gjykatës kanë vendosur pro masës së sigurisë që e ndalon fillimin e ekzekutimit të Rregullores së re.
Disa punëtorë të SHSKUK-së kanë paditur institucionin që me rregulloren e re i ka ulur në pozitë. Përveç padisë, kanë kërkuar edhe masë të sigurisë për mosfillimin e zbatimit të kësaj rregulloreje.
Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë, edhe ajo e Apelit e ka aprovuar masën e sigurisë.
Rregullorja e SHSKUK-së nuk do të ekzekutohet deri në vendimin meritor të gjykatës.
“Meqenëse funksionimi i rregullt i institucioneve shtetërore përbën interes të përgjithshëm rrjedhimisht, gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të Rregullores së atakuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditësve, është interes publik që shtyrja nuk do të sillte dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar”, thuhet nga SHSKUK-ja.
Pas vendimit të shkallës së parë, SHSKUK-ja ishte ankuar se Gjykata në Prishtinë ishte përfshirë në shkelje kur kishte vendosur për pezullim. Por kjo ankesë është hedhur poshtë.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës kundër propozueses Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës në Prishtinë, e datës 27.05.2024, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative A.nr.179/2024, i datës 13.05.2024, vërtetohet”, thuhet në vendim.
Padia ishte iniciuar nga një punëtor, por që më pas, qindra të tjerë i ishin bashkuar kësaj padie.
Me 7 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, Bordi i ShSKUK-së ka aprovuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në mbledhjen e datës 08.04.2024, shkruan Koha.
Menaxherët e shëndetësisë publike vazhdimisht këto vite kanë deklaruar që reforma në SHSKUK-së nuk po vërehet për shkak që mënyra se si është e rregulluar puna e menaxhmentit nuk po ua mundëson një gjë të tillë.