Apeli refuzon akuzën ku Xhavit Haliti akuzohej për sulm ndaj Arben Gashit

28 gusht 2024 | 18:09

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, ka refuzuar akuzën ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, me të cilën akuzohej për sulm fizik ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 janar 2024, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Halitit, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë për sulmin fizik ndaj Gashit.

“Me rastin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Xh. H. – avokat K. K. dhe ankesës së të akuzuarit Xh. H. e sipas detyrës zyrtare, për të akuzuarin Xh.H. , NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.1868/20, datë 22.01.2024, ashtu që Gjykata e Apelit e Kosovës ndaj të akuzuarit Xh. H. , për veprën penale Sulmi, nga neni 187 par.1 të KPRK-së, për të cilën është shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë e refuzon akuzën në kuptim të nenit 362 par.1 nën par.1.3 të KPPK-së, lidhur me nenin 107 par.8 të KPRK-së, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në vendimin e marrë më 6 qershor 2024, thuhet se brenda afatit ligjor ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte ushtruar mbrojtësi i Halitit, avokati Kujtim Kërveshi dhe vetë i akuzuari, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.

I akuzuari dhe mbrojtësi i tij, kishin propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i Themelores, ashtu që i akuzuari të lirohet nga akuza ose aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Kurse, Prokurori i Apelit përmes shkresës kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesa e të akuzuarit dhe ajo e mbrojtësit të tij.

Apeli pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, aktgjykimit të ankimuar dhe pas vlerësimit të pretendimeve në ankesë, vendosi që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet.
Shkalla e dytë ka konstatuar se në rastin konkret, e drejta në ndjekje penale është parashkruar.

Aty thuhet se për veprën për të cilën ishte dënuar Haliti, parashihet dënimi me gjobë ose me burgim deri në tri vite, ndërsa sipas Kodit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, për veprën e dënueshme me më shumë se 1 vit burgim, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga koha e kryerjes së saj dhe se ndjekja penale ndalohet kur ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.

“Nga shkresat e lëndës del i akuzuari Xh. H. , është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Sulmi, nga neni 187 par.1 të KPRK-së, (i cili ishte në fuqi gjatë kohës kur është kryer vepra penale), për të cilin parashihet dënimi me gjobë ose dënim me burgim deri në 3 (tri) vite. Sipas dispozitës së nenit 106 par.1 nën par 1.5, të KPRK-së (Ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), për vepër penale të dënueshme me më shumë se 1 (një) vit burgim, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar 3 (tre) vite, nga koha e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ), ndërsa sipas dispozitës së nenit 107 par.8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale)”, thuhet në vendim.

Gjithnjë sipas Apelit, lënda në këtë Gjykatë ka arritur më 8 prill 2024, për marrjen e mendimit në Prokurorinë e Apelit lidhur me ankesën e mbrojtësit është dorëzuar më 11 prill 2024 nga Prokuroria e Apelit me mendim është kthyer më 16 prill 2024.

Ndërsa, prapë ishte dërguar për mendim në Prokurorinë e Apelit lidhur me ankesën e të akuzuarit dhe nga kjo Prokurori me mendim është kthyer më 3 maj 2024.

Në vendimin e Apelit theksohet se gjyqtarit të çështjes, lënda i është dorëzuar në punë më 15 maj 2024, tri ditë para arritjes së afatit të parashkrimit absolut. Më tej, në vendim thuhet se meqenëse i akuzuari dhe mbrojtësi i tij aktgjykimin e kanë ankimuar për shkak të të gjitha bazave juridike, mes tjerash edhe për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, atëherë domosdoshmërisht është dashur të caktohet seancë publike, e meqenëse ftesa palëve duhet t’iu dorëzohet së paku 8 ditë para mbajtjes së seancës publike, në pamundësi të caktimit të seancës publike e pas kalimit të afatit ligjor për parashkrim absolut, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

Në fund, Apeli thekson se në shkresat e lëndës rezulton se vepra penale nga i akuzuari është kryer më 18 maj 2018, kurse afati i parashkrimit të ndjekjes penale fillon të rrjedhë nga data kur është kryer vepra penale. Për këtë, rezulton se koha e kryerjes së veprës penale ka kaluar dyfishin e kohës së afatit të parashkrimit.

“Në rastin konkret duke pasur parasysh se nga koha e kryerjes së veprës penale, ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, prej kohës së kryerjes së veprës penale e deri në ditën e mbajtjes së seancës me dt. 21.05.2024, kanë kaluar më shumë se 6 (gjashtë) vite, nga këto arsye aktgjykimi i kundërshtuar është dashur të ndryshohet sikurse në dispozitiv të këtij aktgjykimi, me ç‘rast ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit dhe ajo e të akuzuarit janë jo lëndore. Shpenzimet e procedurës penale konform dispozitës së nenit 450 të KPPK-së bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë vendim, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar deputetin Gashi, i cili e ka cilësinë e të dëmtuarit në këtë rast. Ai tha se nuk është në dijeni për vendimin e Apelit, por vlerësoi se për shkak të mosefikasitetit të organeve të drejtësisë, po parashkruhen lëndët, e që kjo sipas tij është për keqardhje.

“Nuk e kam pa vendimin me thanë të drejtën, tash po e marr vesh. Më vjen keq që qytetarët e Kosovës përballen me probleme në sistemin e drejtësisë dhe nuk ka drejtësi në Kosovë. Shumë raste parashkruhen dhe krijohen probleme në vazhdimësi. Është për keqardhje, mosefikasiteti i organeve të drejtësisë për lejimin e lëndëve që të parashkruhen. Rasti im ka qenë i vogël, por problem është për raste të tjera të qytetarëve, të cilët këto vendime mund të nxisin probleme tjera pastaj. Mungesa e dhënies së drejtësisë është problem i gjithanshëm”, tha Gashi.

Ndryshe, më 16 janar 2024, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama e kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, avokatit Kujtim Kërveshi, për përjashtimin e gjykatësit Driton Berisha nga rasti ku Haliti akuzohej.

Në tetor të 2019-s, Gjykata Themelore në Prishtinë sipas urdhrit ndëshkimor, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti (për “Sulm”) dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj (për “Kanosje”), të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës me dashje ka sulmuar deputetin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks. Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj thuhet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët “Kom me ta prish fytyrën”. /BetimipërDrejtësi

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar…