Apeli refuzon ankesat e mbrojtjes, dy të dyshuarit për spiunazh mbeten në paraburgim
Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve Besnik Berisha dhe Ridvan Kajtazi, ashtu që ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Kundër vendimit të Themelores, mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Besnik Berisha kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është arbitrar dhe i kundërligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Qerimi, avokati Ridvan Kajtazi, në ankesë kishte pretenduar se vendimi i Themelores për caktimin e paraburgimit mbështetet vetëm në supozime dhe jo në fakte konkrete dhe prova specifike që inkriminojnë të mbrojturin e tij drejtpërdrejt për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Apeli ka vlerësuar si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë konform nenit 184, paragrafi 1 , nënparagrafi 1.2, pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale, pasi që rreziku i ikjes është potencial tek këta të pandehur duke pasur parasysh peshën e veprës penale.
“…se po të mbrohen në liri mund të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhen, duke qenë se përballen me vepër penale të rëndë që ka të bëjë me sigurinë e shtetit”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
“Andaj, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm në këtë fazë të procedurës penale sa i përket pengimit të arratisjes”, thuhet në këtë vendim.
“E veçmas mund të ndikojnë tek njëri-tjetri meqenëse veprimet e tyre ndërlidhen tërthorazi mes vete duke qenë se kanë kontaktin e përbashkët me zyrtarin e BIA-së si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarët e kësaj çështje penale e që policia është duke punuar në identifikimin e disa prej tyre, e disa prej tyre vetëm se janë identifikuar”, thuhet tuje në vendimin e Apelit.
Sipas PSRK-së, dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 3 të Kodit Penal, ndërkaq i pandehuri Qerimi dyshohet edhe se ka kryer edhe veprën tjetër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.
Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, kishte bërë të ditur se në shtëpitë e dy të dyshuarve që u arrestuan për spiunazh, u gjetën dhe sekuestruan dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska, gasmaska ushtarake dhe shumë dëshmi të tjera.
Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë speciale, janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për spiunazh.