Apeli rrëzon një apelim të mbrojtjes së Thaçit
Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se me 12 korrik, Paneli i Apelit ka rrëzuar apelin e mbrojtjes së Hashim Thaçit kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake mbi miratimin e kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për ndryshimin e listës të saj të provave materiale që do të përdor gjatë gjykimit.
Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Griep ka thënë se në apelin e tij, Thaçi ndër të tjera komentoi se në vendimin e tij gjykatësi i procedurës paraprake nuk kishte marrë sa duhet parasysh se provat që i shtohen listës së provave materiale të ZPS-së në këtë fazë kaq të vonë do të ndikonin negativisht në aftësinë e mbrojtjes për tu përgatitur për gjykim brenda një kohe të arsyeshme.
“Zoti Thaçi parashtroi se gjykatësi i procedurës paraprake nuk kishte marrë parasysh se dosjet e dëshmitarëve që tanimë janë analizuar do të duhej të rianalizoheshin përsëri sepse materiali shtesë që shtoi ZPS-ja përfshin dëshmitarë për të cilët tashmë janë nxjerrë deklaratat dhe provat materiale shoqëruese”, ka thënë Griep.
Tutje, ajo tha se Paneli i Gjykatës së Apelit konstatoi se gjykatës i procedurës paraprake kishte marrë parasysh sa duhet argumentet e zotit Thaçi dhe përcaktoi se materiali shtesë ka të bëj me dëshmitarë që tanimë janë të njohur për mbrojtjen rrjedhimisht ndryshimi i listës së provave materiale jo domosdoshmërisht ndikoi ose vonoi përgatitjet për gjykim sepse ndër të tjera edhe mbrojtja sapo ka filluar hetimet e veta.
“Paneli vuri në dukje se materiali shtesë që iu dha mbrojtjes me 31 janar 2022 në bazë të urdhrit të gjykatësi të procedurës paraprake dhe se gjykatësi i procedurës paraprake paralajmëroi ZPS se duke pasur parasysh miratimin e këtij afati kërkesat e tjera për ndryshime të listës së provave materiale do të iu nënshtroheshin shqyrtimeve më të hollësishme”, ka thënë Griep.
Sipas saj, në të njëjtën çështje gjyqësore, gjykatësi i procedurës paraprake dje ka mbajtur konferencën mbi ecurinë e çështjes, gjatë së cilës u diskutua procesi i nxjerrjes së materialeve dhe aspekte të tjera organizative në lidhje me ecurinë e procesit.
Ajo ka thënë se gjykatësi urdhëroi ndër të tjera ZPS që të dorëzoj listën e dëshmitarëve deri me 2s shtator 2022 me përditësime për mënyrën e marrjes në pyetje dhe kohën e paraqitjes për secilin dëshmitar që ata do të thërrasin
Po ashtu, tha se ai propozoi 8 shtatorin si datë për konferencën e ardhshme mbi ecurinë e çështjes.
Ndërkaq, tha se në përputhje me urdhrin e Gjykatës së Apelit të lëshuar me 1 korrik, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ridorëzuan njoftimin për apel kundër aktgjykimit.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.