Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj Sami Lushtakut dhe tjerëve në rastin e KEK-ut

09 nëntor 2020 | 16:28

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Sami Lushtakut dhe tjerëve në rastin e KEK-ut, duke e refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i datës 9 gusht të këtij viti, është thënë nga Apeli se është vërtetuar, përpos te rasti i Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut, ku janë liruar për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje”.

“Aktgjykimi i ankimuar, në këtë pjesë është ndryshuar, ashtu që aktakuza e prokurorisë, është refuzuar për shkak të parashkrimit të veprës penale”, është thënë në njoftimin e Apelit.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe personat e tjerë të akuzuar në rastin “KEK-u” ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku janë akuzuar për veprën penale mashtrim. Ndërsa ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha janë akuzuar për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, u akuzua për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendonte se sjellja e paligjshme e të pandehurve, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6.182.609,76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohej se është dëmtuar KEK-u. Pronar i kompanisë që pati fituar tenderin është Milazim Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut i cili po ashtu është liruar nga akuza.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, kishte nxjerrë një aktgjykim lirues dhe refuzues për të akuzuarit E.T. dhe M.L. për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje”. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë me të njëjtin aktgjykim kishte liruar nga akuza: të akuzuarin D.P. për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” dhe “Lidhje të kontratës së dëmshme’, të akuzuarin A.Gj. për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, të akuzuarin H.H., gjithashtu për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, të akuzuarin A.D. për shkak të veprës penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” , njësoj si të akuzuarit E.T. dhe S.L. Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, nga provat e administruara, drejtë ka konstatuar se nuk janë konsumuar elementet e veprës penale, për të cilat të akuzuarit janë ngarkuar”, është thënë në njoftimin e Apelit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Organizativ i Protestave të FSP-PTK-së përmes një njoftimi për…