
Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj zyrtarit të ATK-së të akuzuar për raportim të rremë të pasurisë
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Burim Troni, është liruar nga akuza për mosraportim ose raportim të rremë pasurisë.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Prokuroria i kishte propozuar Apelit që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë apo ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rivendosje në shkallë të parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore, të anulohet aktgjykimi i ankimuar dhe çështja të kthehet në rigjykim, apo që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor e t’i shqiptohet dënimi i paraparë me ligj.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 12 mars 2025, vlerëson se pretendimet ankimore për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe mosarsyetim të secilës pikë të aktgjykimit, nuk janë të bazuara.
Apeli konstaton se aktgjykimi është i përpiluar në harmoni me dispozitat ligjore, është i qartë dhe nuk është në kundërshtim me vetveten e as me arsyetimin.
Shkalla e parë, sipas Apelit ka elaboruar provat në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Kolegji i Apelit erdhi në përfundim se Themelorja ka vëretuar në mënyrë të qartë dhe të plotë gjendjen faktike, pasi që i akuzuari nuk ka pasur për obligim që të deklarojë pasurinë e prindërve të tij ngase nuk jeton me ta në një bashkësi familjare.
“Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka gjetur se në rastin konkret nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e veprës penale për faktin se i akuzuari në dy formularët për deklarim të pasurisë, të protokolluara në Agjencinë Kundër Korrupsion me datë 03.05.2019 dhe me datë 19.06.2020, ka deklaruar se jeton në bashkësi familjare me dy prindërit e tij, por që në fakt në bashkësi familjare ka qenë vetëm me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, gjë e cila gjen mbështetje edhe në provat materiale”, thuhet në arsyetim të Apelit.
Bazuar në këtë, sipas Apelit, fakti që i akuzuari nuk jeton në bashkësi familjare me prindërit e tij, ka qenë fakt i njohur edhe për prokurorin e rastit, ashtu që Agjencia kishte arritur të printojë certifikatat ku tregohet se jeton me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
“Fakti se i akuzuari ka deklaruar se nuk jeton në bashkësi familjare me prindërit e tij, ka qenë i njohur për prokurorin sepse kjo është konstatuar me rastin e dhënies së deklaratës në prokurori edhe në sqarimin e dhënë nga i akuzuari për agjencinë, ku e njëjta kishte arritur ti printoj nga sistemi tri certifikata të bashkësisë familjare të akuzuarit, të cilat i akuzuari vite më parë i kishte marr nga organi komentet, ku rezulton se në bashkësi familjare nga i akuzuari ishin deklaruar i akuzuari, bashkëshortja dhe fëmijët”, thuhet në vendim.
Gjithnjë sipas Apelit, shkalla e parë i ka trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë të gjitha faktet më rëndësi vendimtare për çështjen penale, me ç’rast në bazë të elaborimit të provave të ofruara nga Prokuroria dhe vlerësimit të tyre, ka gjetur se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, e cila i vihej në barrë të akuzuarit.
Lidhur me atë që Themelorja nuk ka trajtuar faktin se i akuzuari nuk ka deklaruar që është anëtar i bordit në një subjekt afarist, sipas Apelit, kjo nuk paraqet shkelje të dispozitave të procedurës penale.
“Ndërsa faktin se gjykata në arsyetimin e aktgjykimit nuk e ka trajtuar deklarimin e të akuzuarit sa i përket asaj që ka qenë anëtar bordi në subjektin afarist “Troni” SHPK, nuk paraqet shkelje të dispozitave të procedurës penale thjesht gjykata nuk është e obliguar të trajtoj fakte të cilat në mënyrë qenësore nuk kanë relevanc në raport me veprën penale të pretenduar, fakti se ka deklaruar se ka qenë anëtarë bordi apo jo nuk është çështje e përfshirë në aktakuzë”, thuhet në arsyetim.
Të pabazuara, Apeli i ka vlerësuar pretendimet e Prokurorisë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Njësoj edhe pretendimet se Themelorja gabimisht e merr si të sinqertë deklarimin e të akuzuarit se “gabimisht” dhe nga “padijenia” i ka listuar prindërit e tij në kuadër të bashkësisë familjare në formularin për deklarimin e pasurisë.
Apeli vlerëson se deklarimi i të akuzuarit gjen mbështetje në provat materiale dhe meqenëse nuk jeton me prindërit nuk ka pasur obligim deklarimin e pasurisë së tyre.
“Pra, nga provat e siguruara nga prokuroria e të administruara në shqyrtim gjyqësor nga gjykata e shkallës së parë, nuk dëshmojnë faktin se i akuzuari të ketë vepruar me dashje në drejtim të kryerjes së veprës penale dhe se nuk janë konsumuar asnjë prej elementeve të veprës penale për të cilën ngarkohet”, thuhet në vendim.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 7 tetor 2021, i akuzuari Troni ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohej.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 shkurt 2022, kishte marrë aktvendim më të cilin kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës. Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Troni, avokati Hekuran Haxhimusa, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit Penal.
Mirëpo, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Troni, ashtu që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Tronit.
Sipas aktakuzës së vitit 2021, Burim Troni akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, respektivisht ndihmës-drejtor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti me dashje kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5, par.1, pika 1.3 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë, duke mos i deklaruar saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë, në atë mënyrë që i njëjti në dy deklarimet e fundit të pasurisë dhe në deklarimin me emërimin në pozitën e zyrtarit të lartë publik, më 3 maj 2019, si dhe në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën raportuese 1 janar- 31 dhjetor 2019, nuk e kishte deklaruar biznesin e prindit të tij, respektivisht nënës si pronare e biznesit “Jasemine Troni B.I” me emrin tregtar N.T.Sh, “Jehona”.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se nga biznesi “Cement Plus For Building Materials L.L.C”, ku pronar prej 35% është babai i të akuzuarit Izahir Troni, nuk i kishte deklaruar të hyrat respektivisht fitimin e qarkullimit për vitin 2019 në shumën prej 779 mijë e 618 euro e 97 centë, të deklaruara në Administratën Tatimore të Kosovës, përkundër faktit se i njëjti në të dy formularët për deklarim të pasurisë, të protokolluara në Agjencinë Kundër Korupsionit më 3 maj 2019 dhe me 19 qershor 2020, kishte deklaruar se jeton në bashkësi familjare me të dy prindërit.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2, të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënim me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.