Apeli vërteton dënimin me 12 vjet burgim ndaj Zoran Gjokiqit për krime lufte në Pejë
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Zoran Gjokiq është dënuar me 12 vite burgim për krime lufte.
Lajmin e ka bërë me dije Gjykata e Apelit, ku është thënë se Departamenti Special i kësaj gjykate ka konstatuar se duhet të refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit.
Në njoftimin e kësaj gjykate është thënë se është hedhur si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Z.D. është shpallur fajtor se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime të Luftës Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, lidhur me nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës të datës 12.08.1949 dhe nenin 4 të Protokollit 2 të datës 08.06.1977 shtojcë e Konventave të Gjenevës, duke e dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vjetëve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.
Zoran Gjokiq më 11 shkurt të këtij viti është shpallur fajtor për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës dhe është dënuar me 12 vite burgim.