Apelohet për konsum të produkteve vendore
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë thirrje që të konsumohen prodhimet vendore sa më shumë, në hapjen zyrtare të “Javët e Biznesit Kosovar 2018”.
Në hapje të këtij panairi, ministri Endrit Shala ka thënë se Kosova mund të zhvillohet edhe pa produkte të Serbisë, duke shtuar se do t’i mbështesë bizneset vendore në çdo kohë.
“Që në fillim të mandatit kam cekur se prioritetet e MTI-së, do jenë përkrahja e vazhdueshme e prodhuesve vendorë dhe joshja e investitorëve të huaj, mbrojtja e konsumatorit, ngritja e cilësisë se produkteve vendore, zhvillimin e turizmit”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se nuk do të lejojë më shitjen e produkteve që si referohen Kosovës si shtet.
“Të shfrytëzojmë rastin që kompanitë tona ta përcjellin këtë aktivitet dhe prodhimi jonë të jetë i mundshëm edhe për eksport. Dua t’i garantoj prodhuesit vendorë dhe qytetarët e Kosovës, se nuk do lejoj që në Kosovë të futet produkt që shkruan ‘Kosovo Metohija’. Konsumoni sa më shumë prodhime vendore”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, që organizoi këtë panair ka thënë se panairi ka qëllim të promovojë ekonominë e të rrisë konsumimin e prodhimeve vendore, të stimulojë bizneset vendore, të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve sipas standardeve më të larta dhe të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të krijojë mjedis të favorshëm afarist për një zhvillim më të hovshëm ekonomik. Ai ka thënë se duhet të ngrihet vetëdija për të konsumuar prodhimet vendore.