APK: Rreth 12 mijë zyrtarë dhe familjarë të tyre në proces të verifikimit të deklarimit të pasurisë
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se këtë vit rreth 12 mijë zyrtarë dhe familjet e tyre janë të obliguar të deklarojnë pasurinë.
Drejtori i kësaj agjencie, Ylli Buleshkaj, ka theksuar se vetëm një numër i vogël prej më pak se 100 zyrtarëve nuk kanë përmbushur këtë detyrim në afatet ligjore.
“Kemi rreth 12 mijë zyrtarë që janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë që dorëzohet tek ne, tani ne e kryejmë verifikimin e saktësisë së deklarimit të pasurisë, si dhe kërkojmë dhe sigurojmë zbatimin e afateve ligjore për t’u kryer këtë obligim. Në këtë vit kemi pasur një përgjigje të mirë të deklarimit të pasurisë. Kanë qenë më pak se 100 zyrtarë nga 12 mijë që nuk e kanë kryer këtë obligim në kohë, ndërsa nga ata i kemi të gjithë që pas afatit të zgjatur e kanë kryer këtë obligim. I kemi shqiptuar 96 gjoba për vonesë. Ndërsa rastet tjera jemi duke bërë verifikimin e pasurisë, i kemi rreth 12 mijë zyrtarë plus familjarët e tyre që janë në proces të verifikimit të pasurisë së tyre”, ka deklaruar Buleshkaj.
Buleshkaj gjithashtu ka theksuar për Dukagjinin se verifikimi i pasurisë në vitin e kaluar ka shkuar përpara dhe ka identifikuar vetëm disa lëshime serioze.
Ai ka thënë se janë bërë 15 kallëzime penale për pasaktësi në deklarimin e pasurisë për vitin 2023.
Ai ka theksuar se procesi i verifikimit për këtë vit është ende duke vazhduar.
“Vitin e kaluar e kemi parë që zyrtarët kanë qenë të sinqertë, kemi pasur numër të vogël që nga verifikimi i kemi identifikuar lëshime serioze, për ne kjo është që shuma monetare është më shumë se 3 mijë euro. Do të thotë nga rreth 2 mijë nëse nuk gaboj i kemi rreth 15 kallëzime penale që kanë rezultuar nga verifikimi që kemi finalizuar. Për, këtë vit jemi ne proces të verifikimit”, ka deklaruar ai.