Aplikacion që shpëton jetë
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka treguar se vetëvrasjet përbëjnë një ndër 10 shkaqet kryesore të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara.
Dy adoleshentë kanë gjetur një mënyrë për të zvogëluar shkallën e vetëvrasjeve, falë një aplikacioni që përdoret në telefonat inteligjentë. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Mariama Diallo, ka biseduar me shpikësit e tij, motër e vëlla, të cilët kohët e fundit u nderuan me një çmim nga shoqata amerikane jofitimprurëse e Shëndetit Mendor.
Charlie dhe Hannah Lucas, motër e vëlla, janë krijuesit e aplikacionit “NotOK”, një mjet dixhital për të ndihmuar në trajtimin e problemit.
“Aplikacioni ‘NotOK’ është në thelb një buton paniku dixhital, që kur shtypet dërgon një mesazh me shkrim që thotë: ‘Nuk jam mirë! Më telefononi, më shkruani ose hajdeni këtu!’”, ka treguar Charlie Lucas bashkëkrijues i aplikacionit.
Sipas tij, mesazhi shkon tek një grup i parazgjedhur personash, deri në 5 kontakte të ngushta, së bashku me vendndodhjen e dërguesit të tij.
Krijuesit e aplikacionit kanë arritur te kjo ide ndërsa Hannah luftonte me një sëmundje që i shkaktonte gjendje të fikti. “Quhet sindromi postural ortostatik i takikardisë. Në thelb më shkakton gjendje të fikti. Kam humbur ditë të tëra shkolle për këtë shkak, pasi isha gjithmonë ai fëmija i sëmurë, që kishte takime me mjekun, ndodhej në urgjencë, merrte serume, bënte analiza gjaku, gjithçka“, ka thënë Hannah Lucas, bashkëkrijuese e aplikacionit.
Hannah ka deklaruar se shpesh kishte qenë viktimë e bullizmit në shkollë për shkak të gjendjes së saj. “Kisha gjithmonë frikë. Situata mbrriti në një pikë kur kisha frikë të largohesha nga krevati. Nisa të vuaj nga depresioni dhe ankthi, situata ishte vërtet shqetësuese, kisha çrregullime të ngrënies, dëshirë për të lënduar veten dhe përpjekje të shumëfishta për vetëvrasje. Ishte e tmerrshme“, ka thënë ajo.
Aktualisht gjendja e Hannës është më e mirë. Ajo thotë se aplikacioni nuk është vetëm për parandalimin e vetëvrasjes, por mund të përdoret nga të gjithë ata që nuk ndihen mirë. “Pavarësisht asaj që po kaloni, duhet t’i ruani lidhjet me njerëzit, sepse izolimi i vetes thjesht do t’i bëjë gjërat më keq“, ka deklaruar Hannah.
Charlie dhe Hannah Lucas kanë fituar disa çmime për aplikacionin, përfshirë një të marrë së fundmi nga organizata amerikane jofitimprurëse e Shëndetit Mendor. Që nga dita që doli në përdorim për publikun e gjerë aplikacioni është shkarkuar më shumë se 15 mijë herë.