Aplikacioni që fundosi grupin kriminal me 45 milion USD
Për gati 3 vite, një aplikacion i koduar që përdorej nga kriminelët u monitorua nga FBI dhe Policia Federale e Australisë (AFP) duke arrestuar qindra persona dhe duke konfiskuar miliona dollarë pasuri, sipas një njoftimi të autoriteteve të martën, shkruan CNN.
Në një deklaratë, AFP tha se ata dhe FBI kishin lexuar bisedat e kriminelëve që nga viti 2018 në aplikacionin ANoM. Aplikacioni AN0M, është përdorur nga banda kriminale në të gjithë botën për të planifikuar ekzekutime, trafik droge dhe riciklim parash të pista.
Autoritetet kanë lexuar deri në 25 milion mesazhe në kohë reale dhe zbuluan 25 komplote për të kryer vrasje. Gjithashtu u sekuestruan më shumë se tre ton drogë dhe 45 milion dollarë.
“Operacioni Ironside”, filloi tre vite më parë si një bashkëpunim midis disa agjencive globale të zbatimit të ligjit, duke përfshirë FBI, AFP, policinë e Zelandës së Re dhe Europol, raporton abcnews.al
ANoM mund të gjendet vetëm në telefonat e blerë përmes tregut të zi, dhe këta telefona nuk shërbejnë as për të telefonuar dikë dhe as nuk për të dërguar email, sipas AFP.
Sipas mediave australiane, qindra persona – mes të cilëve përfaqësues të krimit të organizuar dhe banda motoçiklistësh; të botës së krimit aziatik por dhe figura të njohura të kriminalitetit shqiptar u arrestuan në operacionin më të madh policor të kryer në Australi që ka përfshirë 18 vende, raporton abcnews.al.
Komisioneri i AFP Reece Kershaw tha se: “Përdorimi i aplikacioneve të koduara paraqet sfida të rëndësishme për autoritetet dhe ANoM ka hapur një dritare të kriminalitetit që nuk e kemi parë kurrë më parë në këtë shkallë.”
Kershaw shtoi se kishte aplikacione të tjera të koduara, të cilat policia po punonte për të fituar akses.