Aplikacioni i stërvitjes zbulon bazat ushtarake
Ushtarët në të gjithë botën kanë ndarë publikisht rutinat e tyre stërvitore “online”, përfshirë ato brenda bazave ushtarake.
Aplikacioni Strava është një nga më të njohurit që përdoret për këtë qëllim dhe zakonisht gjendet në telefonat celularë të përdoruesve që mbahen në krah gjatë stërvitjes. Ai regjistron stërvitjen dhe gjithashtu krijon të ashtuquajturën hartë djersitjeje, që tregon rrugën e ndjekur nga përdoruesi ndërsa vrapon apo nget biçikletën.
Deri këtu asgjë e keqe, po të mos ishte për faktin se pa dashje në internet janë shfaqur hartat e bazave të huaja ushtarake në vende si Siri apo Afganistan, ndërsa ushtarët lëvizin brenda tyre duke treguar edhe pozicionin ku janë! Ushtria amerikane lajmëroi se po ekzaminon hartat e djersitjes dhe sipas mediave ka zbuluar gjëra vërtetë të pakëndshme.
Kompania Strava, në nëntor 2017 publikoi të gjitha të dhënat që përdoruesit e aplikacionit kishin ndarë me të tjerë vullnetarisht, por vetëm fundjavën e shkuar u mor vesh se mes miliarda hartave ishin shfaqur edhe ato të bazave ushtarake, madje edhe instalacioneve sekrete. Çështja u zbulua nga një student australian, Nathan Ruser, i cili tha se duke parë hartat dalloi gjëra që nuk duhet të ishin aty.
Ekspertë të tjerë thonë se të dhënat janë kaq të detajuara, saqë mund të dallosh qartë ciklin e jetës brenda bazave ushtarake. Nuk dihet nëse dikush me qëllime të këqija e kishte vënë re këtë më parë, por ushtritë e prekura në botë si ajo amerikane, ruse, angleze dhe franceze kanë nisur të shqyrtojnë me urgjencë situatën.