Aplikimi për anëtarësim në BE, Kurti: Progresi do të varet nga përkushtimi ynë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të aplikacionit për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian (BE), ka thënë se e ardhmja e shtetit është brenda familjes së madhe evropiane.
“Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, ka thënë Kurti.
Fjala e plotë e Kurtit në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian:
E nderuara presidente e Republikës,
I nderuari kryetar i Kuvendit,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të nderuar punonjës të mediave,
Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;
Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;
Besimin në vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian;
Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;
Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.
Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.
Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.
Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.
Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.
Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.
Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.
Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.
Ju faleminderit e urime të gjithëve.